Mentaliteti i përçarjeve, mërgata shqiptare dhe dështimet politike në emër të pseudopatriotizmit

esad-gjonbalajShkruan: Esad Gjonbalaj

Trevat shqiptare nën Mal të Zi po vuajnë nga shumë plagë. Njëra nga këto është plaga e rëndë e mërgimit, plagë kjo që rëndon dhe që rrezikon rëndë qenien shqiptare në trojet tona stërgjyshore. Por kjo plagë bëhet edhe më shumë e acaruar kur mërgimtarët përzihen në politikën shqiptare në Mal të Zi.

Gjendja politike e faktorit shqiptar në Mal të Zi është e rëndë. Por ditëve të fundit jemi dëshmitarë edhe të dobësimit të mëtejshëm të faktorit shqiptar në Mal të Zi.

Dhe kjo vjen për shkak të presioneve nga joshqiptarët. Vjen edhe nga mungesa e nje ideologjie të qartë. Vjen, edhe më dukshëm si rrjedhojë e mentaliteteve bajraktareske të disa të ashtuquajturve pseudoliderë politikë. Janë këta liderë të shqiptarëve në nivele zonash, që nën ombrellën e kultivimit të “patriotizmit te zjarrtë” në fakt po ia vejnë zjarrin interesave të përgjithshme kombëtare të shqiptareve që sot jetojnë nën Mal të Zi.

Politikat e tyre kanë dështuar dhe këto zgjedhje kuvendare provuan pikërisht këtë. Rezultatet dhe shifrat e dala nga zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi janë tronditëse. Këto janë edhe argumenti më i fortë dhe më bindes i një dështimi klasik dhe dobësimi të mëtejshëm të pozicionit të shqiptarëve nën Mal të Zi.

Mospërgjegjësia ndaj interesave të përgjithshme dhe veprimet egoiste, klanore dërgojnë ujin ne mullirin e atyre që gjithnjë luftuan dhe sajuan plane famëkeqe kundër qenies shqiptare në këto treva të përvuajtura.

Në vend që të marrim tre-katër deputetë, sikur të ishim te gjithë në një listë ne arritëm të sigurojmë vetëm një deputet e tërë kjo fal “pseudopatriotizmit të zjarrtë” që çoi në përplasje dhe dobësim të dukshëm të faktorit shqiptar.

Në këto zgjedhje, shqiptarët dolën me tri subjekte, me dy koalicione dhe me Listën e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve.

Mandatin e vetëm në Parlamentin e Malit të Zi e ka fituar Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” Forca-UDSH-ASH ka fituar 1 mandat. Ky koalicion i ka fituar 4.500 vota ose 1.20 për qind. Koalicioni shqiptar “Me një qellim” PD-IQ-LDMZ-Perspektiva i ka fituar 3.500 vota ose 0.90 për qind, kurse Lista e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve i ka fituar 1.500 vota ose 0.40 për qind.

Sikur të ishim bashkë, do të merrnim të paktën tre deputetë dhe do të ishim një faktor real dhe për tu vlerësuar.

Kjo vjen nga mungesa e përgjegjësisë politike. Kultura e mos përgjegjësisë politike është shprehje mungese e qëllimeve të sinqerta dhe mungesë e vetëdijes se pastër kombëtare duke shpërfillur dështimin e tyre. Shkaku? Kjo vjen si rrjedhojë e paaftësisë politike dhe e lidershipit te dobët. Kjo është, edhe shprehje e kulturës gangrenë të politikes aktuale shqiptare.

Një pjesë e madhe e fajit vjen edhe nga mërgimi. Shqiptarët në mërgim mbështesin klanet e tyre dhe kushërinjtë por nuk ndjekin çështjen kombëtare.

Ne që jemi në mërgim me dhembje dhe ankth shohim se si avazi i vjetër i përçarjeve të shqiptareve luhet edhe sot, edhe sot kur vetvetes i themi se udhëhiqemi nga intelektualet tanë.

Një kontribut indirekt në këto përçarje, fatkeqësisht po e luan edhe diaspora me disa individë të prirë nga lidhjet familjare e jo nga lidhjet që kanë të bëjnë me aspektet parimore kombëtare. Ironi e llojit te vet për kohen qe jetojmë!

Duke parë dhe duke analizuar tërë këtë lamsh problemesh, çdo qytetar shqiptar shumë thjesht vjen në disa përfundime. Njëri përfundim i dukshëm është se na duhet bashkimi I faktorit politik shqiptar. Tjetri përfundim që vijon është se me këta njerëz, me këto klane dhe me këto struktura të këtij mentalitetit, lokalist, bjaraktaresk nuk shoh ne horizont ndonjë perspektiv dhe vizion të qartë për përmirësimin e e pozitës se shqiptarëve nen Mal te Zi. Kështu do të vazhdojmë të mbesim të përcarë dhe do të humbim peshën reale politike që na duhet me zgjidhë problemet jetike të shqiptarëve në Mal të Zi.