Djukanovic, hera e tretë që tërhiqet nga posti i Kryeministrit

Djukanovic ka njoftuar se nuk do të kandidohet për Kryeministër në qeverinë e re.

Mediet në Mal të Zi, por edhe në rajon kanë shkruar në mënyrë sensacionale për tërheqjen e Milo Djukanovic. Në fakt, kjo është hera e tretë që ai tërhiqet nga posti i Kryeministrit.

Djukanovic të parën herë u largua nga posti i Kryeministrit në tetor të vitit 2006, por u kthye në krye të qeverisë në shkurt të vitit 2008.

Herën e dytë nga ky post u largua në vitin 2010, ndërsa u kthye në vitin 2012.

Djukanovic ishte Kryeministër në periudhën 1991-1998, Presidenti i shtetit 1998-2002, Kryeministër 2003-2006, 2008-2010 dhe aktualisht nga viti 2012.

Ai aktualisht është kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) që nga viti 1997.

Pyetja se Djukanovic me plan largohet nga posti i Kryeministrit për tu kandiduar për President të shtetit në vitin 2018, është pyetje e cila po shtrohet në Mal të Zi?

Njohësi i mirë i politikës në rajon, profesori kroat Stjepan Malovic, thotë se Djukanovic-in e sheh si Kryetarë të ardhshëm të Malit të Zi. Ai thotë se lëvizje e tillë kishte pasur edhe më herët, ndërsa partia e tij është partia më e fortë, ai do ta shfrytëzoj atë pozitë në zgjedhjet presidenciale.

Zgjedhjet presidenciale do të mbahen në vitin 2018. Nga viti 2003 në krye të shtetit është Filip Vujanovic, ndërsa ai nuk mund të rikandidohet pasi atë ja ndalon Kushtetuta. /MALESIA.ORG/