Nikollë Camaj: Prokuroria të merret me çështjen e falsifikimi të nënshkrimit

nikolle-camajAnëtarja e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve (LDSH) në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bafta Mavriq, ka votuar për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 16 tetorit, në kundërshtim me qëndrimin e kësaj liste, ka thënë bartësi i listës Nikollë Camaj.

Camaj ka thënë se nuk donin ti njohin rezultatet e zgjedhjeve.

Vota e përfaqësueses së LDSH-së e cila nuk është anëtare e listës por ishte përfaqësuese e kësaj liste në KSHZ, ishte vendimtare për shpalljen e rezultateve, të cilat u miratuan në mbrëmjen mes të shtunës dhe të dielës.

“Nuk arritën të ndikojnë në qëndrimin tonë, por e arritën me ndërrimin e anëtarit të KSHZ-së, fillimisht me tentimin e pasuksesshëm të falsifikimit të nënshkrimit në kërkesën për tërheqjen e zëvendës anëtarit tonë në KSHZ, dhe pastaj me sukses duke ftuar anëtarin tjetër, e cila është legjitime, sepse Mavriq është anëtare e autorizuar, por e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të mëparshme”, tha Nikollë Camaj në një konferencë për shtyp.

Në fillim të seancës, përfaqësuesi i Koalicionit Shqiptar në KSHZ Ahmet Aloshi kishte dorëzuar kërkesën për tërheqjen e anëtares dhe zëvendës anëtarit të LDSH-së, Bafta Mavriq dhe Klement Camaj. Camaj ndërkohë ka dorëzuar ankesë se në emër të listës së tij askush nuk ka kërkuar tërheqjen, dhe se përfaqësuesi i tyre i akredituar vazhdon të jetë Klement Camaj.

Pas një pauzë të KSHZ-së, diku rreth mesnatës ka vazhduar seanca, ndërkohë që në seancë ka arritur përfaqësuesja tjetër e LDSH-së në komision, dhe ka votuar për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Në pyetjen nëse do tu drejtohet autoriteteve kompetente në lidhje me falsifikimin, Camaj tha se ai pret që prokuroria të merret më këtë çështje. “Unë gjithsesi do të dëshmoj, e nëse ata nuk do të merren me këtë çështje, shpresoj se do të ketë hapësirë që kjo edhe personalisht të ndërmerret. Unë shpresoj që shteti do të bëjë punën e vet”, tha Camaj.

Për vendimin e shpalljes së rezultateve përfundimtare kanë votuar 15 anëtarë të KSHZ-së, prej 28 aq sa numëron ky organ.

Është interesant fakti se për shpalljen e rezultateve përfundimtare votoi edhe përfaqësuesi i Koalicionit Shqiptar “Me një qëllim” (PD-IQ-LDMZ-Perpektiva), koalicion ky i cili kishte dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e zgjedhjeve në disa vende të votimit në Ulqin dhe Malësi.

/MALESIA.ORG/