Goli në minutën e 36’ është nga ata që nuk do të harrohen lehtë.
Për Shkëlzen Gashin përballja Colorado Rapids – LA Galaxy dukej se do të ishte një e tillë kopertine pas “perlës” nga distanca, por me përfundimin e pjesës së parë, u mbyll edhe ndeshja e Gashit.
Një dëmtim në kavilje ka bërë që sulmuesi shqiptar të mbetet në dhomat e zhveshjes.
Mediat amerikane, në raportimet e para, tregojnë se nuk bëhet fjalë për një shqetësim serioz, por duhet pritur kalimi i orëve për të mësuar realisht shkallën e dëmtimit.
Përflitej se sulmuesi do të grumbullohej nga trajneri De Biasi për ndeshjen me Izraelin por dëmtimi i pësuar mund të bëhet pengesë për rikthimin e bomberit të Colorados me fanellën kuqezi mbi supe.
Bekim Balaj mposht i vetëm Zenitin
Kur duhen pak ditë nga ndeshja e rëndësishme e eliminatore e Botërorit 2018 ndaj Izraelit, Bekim Balaj ka dhënë sinjale të forta trajnerit Xhani de Biazi që ta konsiderojë titullar.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte protagonist absolut në sfidën që Terek Grozni fitoi 2-1 ndaj Zenitit të Shën Peterburgut, pasi shënoi dy gola në suksesin me përmbysje ndaj pretendentëve për titull, që nga këmba e shkodranit shijuan humbjen e parë sezonale në kampionatin rus.