Donald Trump, biznesmen miliarder, ka fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ai do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë në katër vjetët e ardhshëm. Kandidati republikan, Donald Trump, është zgjedhur presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.
Trump, manjat i pasurive të patundshme, pa përvojë politike, ka mposhtur rivalen demokrate, Hillary Clinton.
Trump ka premtuar se do ta bëjë Amerikën “të madhe përsëri”, me krijimin e më shumë vendeve të punës dhe me uljen e taksave.
Ai është zotuar se do të ngrejë mur në kufirin SHBA-Meksikë, do të largojë miliona emigrant dhe se do të kufizojë hyrjen e myslimanëve në SHBA.
Por ka mundësi që si President, edhe pse gjatë fushatës këtë temë e ktheu në lajtmotiv të tij, Trumpi të mos i shkojë deri në fund idesë për kthimin e miliona emigrantëve të paligjshëm sepse pasojat mbi ekonominë amerikane do të ishin të jashtëzakonshme.
Trump vazhdimisht e ka lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin, duke e cilësuar si “lider të madh”.
Vlera neto e pasurisë së Trumpit llogaritet midis 3 miliardë dhe 3.7 miliardë dollarë.
