Vujanovic: Kandidati i DPS-së për formimin e qeverisë – Abazoviq kërkon që formimi i Qeverisë ti besohet opozitës

vujanovic-markovicPresidenti i Malit të Zi Filip Vujanovic ka emëruar sot edhe zyrtarisht Dusko Markovic nga DPS-ja si kandidat për formimin e qeverisë së re.

Vujanovic pas konsultimeve me partitë parlamentare, njoftoi se është normale që mandati për formimin e qeverisë ti dorëzohet partisë që ka fituar më shumë vota.

Këtë mendim nuk e ndan Dritan Abazoviq, i cili si përfaqësues i opozitës kërkoi që formimi i qeverisë ti besohet opozitës, pasi ata të bashkuar kanë një mandat më tepër se DPS dhe Socialdemokratët.

Abazoviq tha se opozita nuk i pranon zgjedhjet dhe se qeveria e udhëhequr prej tyre do të kishte qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të reja, të cilat do të ishin të lira dhe të drejta.

Në takim me presidentin ishin edhe përfaqësues të Koalicionit “Shqiptarët të vendosur”.

Nga përfaqësuesit shqiptar të pranishëm ishin kryetari i Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu, kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve Mehmet Zenka dhe Gjergj Camaj kryetar i Alternatiës Shqiptare.

Nazif Cungu kryetari i Forcës, për televizionin Teuta tha se ata i kanë parashtruar të gjitha çështjet sot Kryetarit të shtetit Filip Vujanovic, i cili nuk i ka të panjohura çështjet dhe kërkesat e shqiptarëve.

Cungu tha se ata së shpejti do të bëjnë nënshkrimin e platformës së pakicave dhe më pas do të bisedojnë më gjatë për formimin e qeverisë së ardhshme.