Përfaqësuesit e partive politike Kljuc, URA, SNP, Demokratët dhe të SDP; Miodrag Lekic, Zarko Rakcevic, Danijela Pavicevic, Aleksa Becic dhe Ranko Krivokapic, kanë kumtuar se presin nga partitë nacionale (shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët) që të përcaktohen ndaj ofertës për formimin e qeverisë së pakicës e cila do të përgatiste kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ata në mbledhjen e djeshme të rregullt, kanë kumtuar se formimi i qeverisë së pakicës të cilën Fronti Demokratik e përkrahë pa pjesëmarrje në të, është i vetmi rezultat i drejtë i zgjedhjeve jo të lira dhe jo të rregullta të mbajtura me 16 tetor.
Ata kanë përsëritur se përveç subjekteve opozitare, viktimë më e madhe e praktikës së DPS-së dhe të satelitëve të sajë në blerjen e votave janë partitë nacionale, numri i deputetëve i të cilave në këtë përbërje kuvendare është sjellë në minimumin historik.
Në zgjedhjet e 16 tetorit DPS-ja e Milo Djukanovic ka fituar më së shumti vota, por jo mjaft për të formuar shumicën.
Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” (Forca-UDSH-ASH) dhe Iniciativa kroate me nga 1 mandat dhe Partia boshnjake me 2 mandate janë vendimtare se kush do të krijojë shumicën parlamentare dhe formimin e qeverisë.
Këto parti nacionale janë ftuar disa herë nga opozita që ato vet të formojnë qeverinë e cila do të largonte DPS-në nga pushteti pas 25 vitesh.
Ndërkaq, pritët që ato të fillojnë negociatat për formimin e qeverisë me DPS-në.
Një pjesë e funksionarëve të Partisë boshnjake ditët e fundit kanë ftuar që kjo parti të përkrahë opozitën.
Në zgjedhjet parlamentare DPS-ja ka fituar 36 mandate, ndërsa opozita 39 mandate. /MALESIA.ORG/