(Me rastin 108 vjetorit të Kongresit të Manastirit)
Para plot 108 vitesh, respektivisht në vitin 1908, u shënua një datë e rëndësishme në historin e kombit shqiptar. Është pra viti, kur i zhvilloi punimet Kongresi i Manastirit (Bitoli i sotëm në Maqedoni), që kishte për detyrë përpilimin dhe aprovimin e alfabetit që sot përdoret në dy shtetet shqiptare: Shqipëri dhe Kosovë, mandej në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe kudo ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, në diasporën e mbarë ruzullit tokësor.
Rruga e shkronjave të alfabetit ishte e gjatë, e vështirë, me plot sakrifica dhe e vazhdueshme, nëpër të cilën, edhe pse me gjëmba, ecën vertikalishtë ata që e deshën dritën dhe e përbuzën errësirën shekullore. Përpjekja aq e gjatë dhe e mundimshme për shkronjat shqipe i ka rrënjët thellë në histori. Naum Veqilharxhi, qysh në vitin 1825 e përpiloi një abetare shqipe me shkronja origjinale, të cilën e përpunoi 20 vite më vonë, De Rada, me kohë e kishte mbajtur një Kongres për gjuhën shqipe dhe kishte përpiluar ABC-në e kësaj gjuhe, ndërsa Konstandin Kristoforidhi më 1872 kishte përpiluar një Abetare në dy kryedialektet.
“Alfabeti i Stambollit”, që mund të konsiderohet edhe e arritura më e madhe e kësaj përpjekje, deri në atë të Manastirit, u përpilua nga atdhedashësit e shquar, si Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa dhe Hoxha Tahsin.
Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet nga data 14-22 nëntor të vitit 1908. Në të muarën pjesë 52 delegatë, me të drejtë vote, nga të cilët ca ishin përfaqësues të 26 klubeve të ndryshëm, si nga trojet etnike shqiptare, poashtu edhe nga kolonitë shqiptare të Amerikës, Turqisë, Rumunisë, Egjiptit, Bullgarisë e të tjerë, e që ishin pjesëtarë nga të tre besimet fetare. Në Kongres poashtu merrnin pjesë edhe shumë mysafirë të ftuar si: drejtor gazetash e shtypshronjash, shkrimtarë, gjuhëtarë, gazetarë e të tjerë.
Kongresin e hapi Fehmi Zavallani si kryetar i përhershëm i klubit “Bashkimi” të Manastirit, që ishte edhe iniciator për thirrjet e Kongresit mbarëkombëtar. Nga ana delegatëve të pranishëm, që kishin autorizim votimi, për kryetar të Kongresit, u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa kryetar nderi, u zgjodh Hivzi Pasha.
Kongresi punën e alfabetit, ia besoi komisionit i përbër prej 11 anëtarësh, ku merrnin pjesë: Gjergj Fishta (kryetar), Luigj Gurakuqi (nënkrytar), Mit’hat Frashëri, Gjergj Qiriazi, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Taqi Buda, Sotir Peci, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni dhe Grigor Ciklja.
Ky Komision, gjatë punës së tijë, së pari pranoi parimin, që Alfabeti i ardhshëm të ketë për bazë Alfabetin Latin dhe u betuan që do ta pranonin çdo alfabet që do të dilte si fryt i këtij Kongresi. Puna e Komisionit, nuk qe e lehtë dhe nuk kaloi pa konfrontime dhe dialogje të ashpra, por gjithnjë korrekte dhe parimore. Në shqyrtim u morën tre alfabete: ai i “Stambollit”, i “Bashkimit”, dhe i “Agimit”. Luigj Gurakuqi “për të mos thyer zemrën askujt”, propozoi që të bëhet një Alfabet i ri.
Komisioni pas punës së mundimshme, e përpiloi Alfabetin e ri të përbashkët, duke marrë shkronja për tingujt e posaçëm të shqipes nga këto tre alfabete: Nga “Alfabeti i Stambolit”, u muarën shkronjat: y, c, ç, q, z, x: nga “Alfabeti i Bashkimit” u muarën shkronjat: dh, th, ll, rr, sh: dhe nga “Alfabeti i De Radës” u muarën shkronjat: ë, gj, nj.
Në fund mbledhja plenare e Kongresit, mori një vendim historik, që krahas “Alfabetit të Stambollit”, të përdoret edhe Alfabeti i ri i këtijë Kongresi. Nuk kaloi shumë kohë dhe populli e përqafoi Alfabetin e ri të Kongresit të Manastirit sepse ishte një alfabet homogjen dhe më praktik për përdorim. Kur me këtë alfabet, në vitin 1912, u shrua Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, iu dha fund, njëherë e përgjithmonë, kësaj odisejade të alfabeteve të gjuhës shqipe.
Vendimet e Kongresit të Manastirit, që më vonë hyri në histori si “Kongresi i Alfabetit”, ishin si kurrorëzim i veprimtarisë së shumë brezave lëvruesish të shqipes dhe i përpjekjeve për afirmimin e njësimin e gjuhës shqipe e të kombit shqiptar. Kjo ishte një e arritur e madhe kulturore dhe politike që i ndihmoi ngjarjeve në prag të shpalljes së pavarsisë. Sot, shikuar nga një distancë kohore një shekullore, mund të vlersojmë se sa largpamës kanë qenë hartuesit e këtij alfabeti dhe delegatët e Kongresit e veçanërisht ato të Komisionit që na mundësuan të kemi një formë të prerë për një komunikim të qartë e të rrjedhshëm të shqipes së shkruar letrare.
Prandaj ne sot, u jemi mirënjohës të gjithë atyre, që me punën e tyre, kontribuan në aprovimin e Alfabetit mbarëkombëtar të gjuhës shqipe, në kohën kur Shqipëria ende ishte nën pushtetin Osman dhe me aprovimin e Alfabetit bëhej me dije, se edhe formimi i shtetit shqipëtar po dukej në horizont.