“Ceremoniali i dasmës në Hot”, kontribut ruajtjes së pasurisë sonë etnologjike dhe folklorike.
Ditën e enjte, më 22 dhjetor 2016, në Sallën e Kuvendit të KU të Tuzit, u bë përurimi i librit të autorit Luigj Dedvukaj, “CEREMONIALI I DASMËS NË HOT”.
Në këtë përurim morën pjesë një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga Malësia, ndër ta përfaqësues të institucioneve, klerikë, mësimdhënës etj, por edhe mysafirë nga Shqipëria.
Folësit e rastit ishin profesorët nga Tirana, Prof. Dr Afërdita Onuzi (studiuese e etnologjisë), Prof. As. Dr. Nebi Bardhoshi (studiuese i etnologjisë), përndryshe profesorë pranë QSA-së, në Degën e Institutit të Antropologjisë, Kulturore dhe Studimit të Artit. Përveç tyre folës i rastit ishte edhe Nikollë Camaj, profesor i gjuhës dhe letërsisë (përndryshe studiues, doktorant në Zagreb). Siç është zakon folësi i fundit ishte autori, Luigj Dedvukaj. Ndërsa moderatore ishte Dijana Dukaj, gazetare.
Vepra në fjalë, edhe pse e para e autorit Luigj Dedvukaj, u vlerësua lartë nga studiuesit e etnologjisë dhe të folklorit. Profesoresha Onuzi vlerësoi se në mungesën e institucioneve është për t’u përshendetur çdo inciativë individuale, prandaj ajo edhe e vlerësoi shumë lartë punën e Luigj Dedvukaj. Profesor Bardhoshi foli mbi sukseset e Luigjit gjatë studimeve dhe mbi nevojën e mbledhjes së trashëgimis kulturore, lëmi kjo në të cilën Luigji i tregua shumë i suksesshëm. Edhe Camaj vlerësoi se punimi paraqet kontribut të pamohueshëm ruejtjes së trashëgimis sonë, duke cituar thënien latine: “E shkruara mbetet, kurse fjalët i merr era” e cila, sipas Camaj, më së miri e ilustron punën e Luigj Dedvukaj.
Përndryshe, libri “Ceremoniali i dasmës në Hot” përshkruan dasmën që nga ideja për martesë, shkuesia, ëmnimi, fejesa, përgatitja për dasmë, dasma te djali, dasma te vajza, pas dasma, nusja në tri javë, nusja në pesë javë, nusja te kumbara dhe për t’lidhuna në gjini.
Hollësisht është përshkruar rrjedha e dasmës dhe janë bërë krahasime në mes të Hotit andej dhe këndej kufirit, në mes të konfesionit katolik e islam, por edhe me etnitë e tjera.
Urojmë që shkrime e promovime të tilla të kemi sa më shumë.
Albert Camaj