Nuk kanë vend në Tuz ata të cilëve u pengon gjuha shqipe
Pas iniciativës të deputetit të Partisë boshnjake, dr. Nexhad Dresheviq, i cili kërkon nga Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi ndalimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Komunën urbane të Tuzit, kandidati për deputet i listës së Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve ka reaguar ashpër ndaj kësaj iniciativë antishqiptare.
Reagimi i Camajt është postuar në faqen e tij në facebook, ndërsa mund ta lexoni më poshtë:
Si bartës i listës dhe kandidat për deputet i listës #guxim, si pjesëtar i grupit të betuar se nuk do të hesht padrejtësitë që na bëhen, dhe as anomalitë në shoqërinë tonë, reagoj në tentativën e çoroditur të një ish-shqiptari, për të ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe në Komunën Urbane të Tuzit. Përndryshe, tentativa ogurzez ka të bëj me kërkesën drejtuar Gjyqit kushtetues të Mali të Zi, për të kontestuar përdorimin e gjuhës shqipe, përmes revidimit të normave ligjore që rregullojnë këtë materie.
Tashmë opinioni i gjërë është njoftuar me këtë iniciativë morbide të “boshnjakut”, respektivisht të shqiptarit të boshnjakizuar dr. Nexhad Dresheviq, deputetit në Parlamentin e Malit të Zi, nga radhat e Partisë boshnjake, përndryshe partnere të disa partive shqiptare. Në lajmin e publikuar, fillimish bëra vetëm një konstatim: “nuk besoj të jetë doktori kaq budalla”, duke pritur se, sado dashakeq që është treguar ndaj çdo gjëje shqiptare, të jetë më racional, pasi që një kërkesë e tillë vërtet paraqet lajm të keq për të ardhmen e këtij vendi. Natyrisht, lajm i keq, nëse dresheviqave u jepet hapësirë veprimi, për promovim të ideve të tilla fashisoide.
Them se është lajm ogurzi, ndjellakeq, edhe trishtues, pasi që një gjë të tillë mund ta kërkojnë vetëm nacionalistët e tërbuar antishqiptarë, me çka edhe dëshmohet se rreziku më i madh për identitetit shqiptarë vjen mu nga shqiptarët e boshnjakizuar. Është ky një lajmë edhe ogurzi, edhe për faktin se ideve të tilla fashisoide ne detyrohemi t’u përgjigjemi, e jo t’i injorojmë, çka do të ishte reagim i drejtë ndaj autorit. E reagimi ynë është se nuk kanë vend në Tuz ata të cilëve u pengon gjuha shqipe.
Për pasojat e një kërkesa kaq radikale, Dresheviq sikur nuk ka vetëdije të plotë. Apo, ndoshta si pjesë e pushtetit të ri, shpreson e pret se për plane të tilla anticivilizuese do të ketë përkrahjen e pushtetit, pjesë e të cilit u bë, së bashku me partnerët shqiptarë. Burri i botës, fishekët e parë, sapo hypi në pushtet, i shprazi kunder çdo gjëje që është shqiptare. Por, asgjë e re, sepse këso qendrimesh Dresheviq ka treguar edhe më parë. Madje edhe lidhur me statusin e komunës. Është i njohur qendrimi i tij dhe partis së tij, kundër komunës së plotë. Dhe kjo nuk i pengon UDSH dhe ASH që të bashkëveprojnë.
Këto janë edhe arsyet kryesore qe në nuk pranuam të jemi pjesë e koalicioneve që veç e kishin bërë pazarin me pushtetin dhe boshnjakët, dhe ja se çmimi tani po shihet. Kurse partnerët nga UDSH e ASH nuk po bëjnë zë. Ne, në vend të pritjes së reagimit të tyre, të vonuar, si çdo herë deri më tani, i ftojmë që të ndërpritet çdo lloj bashkëpunimi me Partinë boshnjake, si në nivelin shtetëror, ashtu edhe në atë të Tuzit, si e vetmja përgjigje adekuate. Përndryshe rrezikojnë të jenë bashkëfajtorë.
Pra, fjala është për një iniciativë njellakeqe, e të çoroditur, e cila nuk mund të jap rezulatate, pasiqë ndalimin apo pengimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Malësi e në vise të tjera në Mal të Zi, ku shqiptarët jetojnë në tokat e tyre autoktone, nuk do të mund ta realizojë kush, derisa shqiptarët të frymojnë këtu. Dresheviqit i themi, nëse të pengon shqipja, Sarajeva nuk është larg, megjithëse edhe atje rrezikon që ta dëgjojë gjuhën e të parëve të vet, e cila kaq fort i pengon.