Pas iniciativës të deputetit të Partisë boshnjake, dr. Nexhad Dresheviq, i cili kërkon nga Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi ndalimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Komunën urbane të Tuzit, reagon edhe Partia Demokratike e Fatmir Gjekës, të cilët ftojnë të reagojnë edhe partitë tjera shqiptare të cilat kanë një platformë të përbashkët me PB-në, me një koalicion, respektivisht me tri parti shqiptare në nivel shtetëror, me të cilat së bashku kanë formuar klubin e deputetëve, si dhe fton doemos të deklarohet Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve lidhur me këtë çështje.
Lexoni deklaratën e plotë në vazhdim:
Nuk duhet të na habisë veprimi i z. Nexhad Dresheviq, deputet i Partisë Boshnjake në Kuvendin e Malit të Zi dhe këshilltar në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit, i cili ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë “kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e dispozitës së Statutit të Kryeqytetit e cila përcakton se në Komunën Urbane të Tuzit në përdorim zyrtar është edhe gjuha shqipe”. Sidomos jo pasi që sekretari i Kuvendit të Kryeqytetit, z. Veselin Vukçeviq në mënyrë të saktë dhe precize i është përgjigjur se kjo është në pajtim me Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave, si dhe që shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë në territorin e Malësisë. Por ajo që na çudit është fakti se Partia Boshnjake është në koalicion në Tuz me një parti shqiptare, pastaj ka një platformë të përbashkët me një koalicion, respektivisht me tri parti shqiptare në nivel shtetëror, me të cilat së bashku kanë formuar klubin e deputetëve. Për këtë arsye presim reagimin e këtyre partive sepse për ne shqiptarët gjuha jonë është shenja kryesore e identitetit. Aq më parë lidhur me këtë çështje është e domosdoshme të deklarohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve. E pyesim Dresheviqin: ku do ta kenë në përdorim zyrtar shqiptarët gjuhën e tyre në këtë vend nëse jo në Tuz? Neve nuk na pengon që këtë të drejtë ta ketë edhe Dresheviqi dhe populli i tij, por pse që të drejtën e tij ta realizojë në dëmin tonë. Në këtë shtet, jemi të bindur, ka hapësirë të mjaftueshme për të gjitha dallimet që i ka dhënë Zoti dhe të cilat na pasurojnë. Gjuha është pikërisht njëra prej tyre. Për këtë besojmë se Dresheviqi ka gabuar dhe se duhet ta tërheqë iniciativën e tij.