Prifti malazez në Shkodër: Kosova, një vend i shenjtë i Serbisë

Krishtlindjet janë festuar në kishën e Vrakës në Shkodër edhe nga pakica malazeze dhe serbe në këtë zonë.

Mesha e shenjtë përpara besimtarëve të pranishëm u drejtua nga prifti malazez i Kishës Ortodokse, Radomir Nikcevic.

Në një prononcim për mediat pas mbajtjes së meshës, Nikcevic shprehu vlerësimin për ligjin e miratuar nga Parlamenti shqiptar për minoritetet.

Por Nikcevic, figurë e rëndësishme e Kishës Ortodokse në Malin e Zi, çuditi jo pak kur u shpreh se “Kosova është një vend i shenjtë i Serbisë”.

Edhe pse bëri thirrje për të jetuar në harmoni, me argumentin se Ballkani është një vend i bekuar nga Zoti, Nikcevic e tha qartazi se “Kosova është Serbi”. /Gazeta Shqip/


Provokimi i priftit malazez për Kosovën, At Nikolla Marku: Nxirreni jashtë!

Prifti i kishës ortodokse “Shën Mëria” në Elbasan, At Nikolla Marku ka reaguar përmes një prononcimi në Report Tv pas deklaratave të priftit malazez Radomir Nikcevic se ‘Kosova është Serbi”.

At Nikolla Marku e ka dënuar deklaratën, ndërsa ka kërkuar nxjerrjen e tij nga Shqipëria dhe ndërhyrjen e shtetit, pasi po cenohet paqja në Ballkan.

“Është bërë e udhës që për organizimin e Pashkës të vijnë klerikë, që nuk i largojnë simptomat e vjetra duke thënë ‘Kosova është Serbi’, po ashtu edhe grekët në Jug.

Gjuha e priftit malazez nuk është gjuhë dashurie dhe respekti, por shantazhi. Ai duhet marrë dhe duhet nxjerrë jashtë, shteti duhet të nxjerrë mësime nga këto lloj pësimesh. Klerikët janë të mirëpritur, por jo të tregohen zotë të vendit, kjo është ndërhyrje jo e mirë që nuk sjell zhvillim, kjo sjell gjëra jo të mira. Këta vijnë si të xhindosur, qëllimi i tyre është që të mbështesin politikën për copëtimin e Shqipërisë.

Nuk shkon kjo, cfarë do të bëjmë të fitojmë respektin e njëri tjetrit apo të fillojmë luftën në Ballkan?

Kjo nuk shkon” deklaroi ai.

Përsa i përket mungesës së një reagimi nga Kisha Ortodokse e drejtuar nga Janullatos, At Nikolla Marku u shpreh se ajo është vetë në konikt.  

“Po vuajmë shantazhin nga ortodoksët fqinj” përfundoi ai.