Diaspora shqiptare e Amerikës përkujtoi dje 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut me një simpozium në zonën e Detroitit të shtetit Miçigan. Kjo ngjarje mblodhi studiues nga SHBA, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe nga arbëreshët e Italisë.
Simpoziumi u mbajt në kishën katolike Zoja Pajtore në Detroit, me nismën e një koalicioni organizatash shqiptare të Miçiganit dhe nga Kanadaja fqinje.
Ky ishte aktiviteti më i gjerë i mbajtur deri tani në përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit që mblodhi në një sallë studiues profesionistë të heroit kombëtar të shqiptarëve.
Profesor Pëllumb Xhufi nga Shqipëria foli mbi Skënderbeun si kalorës i krishtërimit dhe sjellës i lirisë:
Ai tha se deri tani fondet arkivore për Skënderbeun janë studiuar mjaft, është studiuar sidomos historia politike e Gjergj Kastriotit, por tani është e nevojshme që të hyhet më shumë në hollësi:
“Ne nuk dimë shumë gjëra për shembull për karakterin e Skënderbeut. Ka të dhëna që i ka qenë një karakter shumë i fortë. Ai dinte të sillej, fliste shumë mirë italishten, por ishte edhe gjaknxehtë kur zemërohej, madje edhe përpara Papëve të Romës.”
Studiuesi arbëresh Italo Sarro thotë se është shumë e vështirë të sjellësh dokumente të reja mbi Skënderbeun. Para disa vitesh ai vetë ka zbuluar letrat e Skënderbeut drejtuar dy sulltanëve dhe po vazhdon punën në arkivat e Vatikanit për të gjetur dokumente të tjera:
Eduard Grishaj i Muzeut historik të Shkodrës foli mbi profilin etnokulturor të Skënderbeut dhe tha gjithashtu se ky simpozium i tejkalon përmasat e diasporës dhe është një rast për t’u ndierë krenar:
“Morëm pjesë në simpoziumin e parë shkencor të organizuar në vitin jubilar të Skënderbeut. Diaspora arriti të tejkalonte edhe ata që e shpallën si vitin e Skënderbeut.”
Njazi Muhameti nga Maqedonia tha se është e nevojshme që studimet për Skënderbeun të organizohen më mirë mes vendeve ku banojnë shqiptarët në Ballkan:
“Duhet ngritur një institut për studimet mesjetare që të përfshijë historiografinë mbi Skënderbeun dhe sot është diçka e realizueshme.”
Profesor Romeo Gurakuqi i Universitetit Evropian të Tiranës, foli mbi epokën e Skënderbeut si argument themelor në përpjekjet për pavarësinë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Mërgim Korça mendon se në studimet për Skënderbeun ka mjaft pasaktësi që duhen vënë në dukje. Ai kritikoi studiuesin Jens Oliver Schmidt dhe tezën se nëna e Skënderbeut ka qenë sllave.
Dalip Greca, editor i gazetës Dielli, foli mbi përpjekjet e organizatës Vatra për të evokuar figurën e Skënderbeut me qëllimin që shqiptarët të jepnin për vendin amë.
Profesor Frashër Demaj nga Kosova foli mbi ndikimin e Skënderbeut te rilindasit shqiptarë.
Përshëndetën gjithashtu Floreta Luli Faber, Ambasadore e Shqipërisë në SHBA dhe Ekrem Bardha konsull nderi i Shqipërisë dhe veprimtar i hershëm i komunitetit shqiptar të Detroitit.
Një ndër mbështetësit kryesorë për organizimin e seminarit mbi Skëndërbeun ishte Dom Ndue Gjergji, famulltar i Kishës Zoja Pajtore. Ai tha se “Qendra fetare dhe shoqatat u bashkuan dhe ky ishte një festim dhe kremtim i jashtëzakonshëm.”
Kumtesat e mbajtura në simpoziumin për Skënderbeun do të mblidhen dhe do të botohen në formë libri.