Merr fund bojkoti i nxënësve shqiptarë në shkollën fillore në Tuz

Këshilli i Prindërve i IPSHF “Mahmut Lekiq” në Tuz

KUMTESË PËR OPINION

Të nderuar prindër, të dashur qytetarë !

Në fillim duam të ndajmë një lajm të mirë me Ju , pra pas bojkotit gati pesëmujor të orëve të gjuhës italiane nga rreth 100 nxënës shqiptarë të kësaj shkolle, më në fund u sigurua kuadri që mësimi të zhvillohet në gjuhën amtare. Pikërisht, që nga e hëna, më 29 janar, nxënësit u kthyen në klasë për ta ndiekur italishten me mësimdhënës që njeh shqipën. Deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje, që duhet thënë se është një nga shumë që ka ky institucion, Këshilli i prindëve gjatë periudhës pesmujore ka bërë përpjekje të shumta dhe ka përjetuar edhe situata e etiketime të pakëndshme të fabrikuar nga drejtoria e shkollës.

Që në shtator, pra nga fillimi i vitit shkollor, prindërit kanë trokitur në të gjitha institucionet me shpresë se do gjenim përkrahje për zgjidhjen e kësaj çështje.

Fillimisht, duke e ditur se përgjegjëse e vetme për zgjidhjen e problemeve në fjalë është Ministria e arsimit, Këshilli më 7 shtator 2017, me një shkresë i është drejtuar ministrit Damir Shehoviq dhe drejtorit të Drejtorisë për arsimimin e pakicave z. Marash Dukaj, duke kerkuar nga ata që urgjentisht tu japin zgjidhje, por kerkesa u refuzua. Ndaj neglizhencës së tyre, Këshilli i prindërve u pergjigj me kercenimin për bojkon dhe falë kësaj, brenda 24 orësh rezultoi me plotësimin e një pjesë të kërkesave, duke lënë problematike edhe 8 orë të italishtes me mesim në gjuhën malazeze.

Odiseja për tu gjetur zgjidhje këtyre 8 orëve vazhdoi për pesë muajë , pra deri para pak ditësh.

Gjatë kësaj kohe, drejtoria dhe ministria vazhduan pa reshtur me diskriminimin e nxënësve dhe stresimin e prinderve, me arsyetimin se nuk ka kuadër. Të vetëdjishëm se të lartpërmendurit janë vetëm gjenerator i së keqes, Prindërit, zgjidhjen e kërkuan tek Ministria e Pakicave. Në takimin me ministrin Met Zenka u premtua se do ketë zgjidhje urgjente , por në realitet asgje e re përveç ” Fjaleve të bukura e gurët në strajc”.

Prindërit u takuan edhe me kryetarin e KKSH z. Nimanbegu dhe kryetrain e Komisionit për arsimin, Ismet Kallaba , që duhet thënë se ishin te vetmit që treguan gadishmeri e madje edhe u angazhuan në këtë drejtim , edhe pse pa ndonjë rezultat .

Duke e ditur obligimin kushtetues që ka shteti amë për shqiptarët jashtë vendit, çështja iu adresua edhe Ambasadës shqiptare në Podgoricë. Ambasadori z. Ernal Filo, gjatë një takimi në ambasadë me perfaqesuesit e prindërve , njoftoi se me vemendje e ka perciell situatën dhe premtoi se këtë do ta bejë edhe më teje dhe për këto probleme ka informuar edhe Tiranën zyrtare. Z. Filo theksoi se me stafin e tij do të bëjë çmos që kjo çështje dhe problemet e arsimit shqip të ngritën në nivel ministrash mes dy qeverive, për ç’gjë prindërit i janë shumë mirnjohës.

Biseda e diskutime të rastësishme, por asnjëherë zyrtare, për këtë çështje prindërit kanë pasur edhe me politikanë e liderë të subjekteve shqiptare, por, për çudi përveç premtimeve e fjalëve të bukura, asnje reagim apo mbeshtetje publike nuk pati nga asnjë prej tyre .

Duke parë se perpjekjet tona institucionale nuk po japin asnjë rezultat dhe duke u bindur se Drejtoria e shkollës dhe Ministria e Arsimit nuk kanë vullnet për ta zgjidhë çështjen dhe poashtu edhe subjektet shqiptare dhe Ministria e pakicave, fatkeqësisht e kam mbyllur gojën, zhgënjimi i prinderve bëhej gjithjnë e më i madh, por njëkohësisht forcohej edhe vendosmëria e tyre për t’ i shkuar çështjes deri në fund .

Odiseja e diskriminimit të fëmijëve shqiptarë në shkollën e Tuzit vazhdoi që në ditën e parë të gjysëmvjetorit të dytë . Pikërisht, më 22 janar 2018, drejtori i shkollës shkoi nëpër klasët ku bojkotohej mësime dhe kërcënoi në menyrën më të pashembullt nxënësit, citojmë ” ska zog nane, as drejtor, as ministër as… as….! që do ja zgjidh këtë problem deri në fund të vitit…..! s’do ju arsyetohën mungesat… do t’ ju thehet sjellja ….do persërisni vitin…..!” etj etj, për ç’gjë disponojmë fakte konkrete – audio inçizime!

Per tu thënë stop ketyre kercënimeve nga ky shkelës i ligjit i cili tash disa vite po diskriminon nxënësit tanë dhe po helmon arsimin shqip, prindërit levizën çdo gurë deri sa gjetën ilaçin . Dhe, dy ditë pas kërcënimeve në fjalë, falë ndërmjetsimit të një prindi i cili që në fillim ishte ndër më aktivët, një zyrtarë i lartë nga Podgorica vjen në Tuz dhe në prezencën edhe të disa prindërve, telefonoi z. Nikollë Dukaj dhe e urdheron që urgjentisht brenda pak ditësh të zgjidh problemin . Kjo tefonatë ishte nje “tërheqje veshi ” për drejtorin i cili më në fund u detyrua të dorzohet ndaj kërkesës legjitime të prindërve.

Dhe, ashtu edhe ndodh, të hënen, më 29 janar vjen momenti i shumpritur- 8 orët e mbetura të italishtes zhvillohen në gjuhën shqipe duke i dhënë fund odisesë disamujore diskriminuese si për nxënësit ashtu edhe prindërit.

Më këtë rast , Këshilli i prindërve shpreh kënaqesi të jashtëzakonshme për zgjidhjen e këtij problemi që i ktheu nxënësit në klasë, por njëkohësisht edhe zhgënjim të thellë për mënyrën se si në këtë vend zgjidhën problemet jashtë institucioneve, për shkak të mosfunksionimit të tyre . Por sidoqoftë, ne i jemi mirënjohës personit në fjalë dhe njëkohsisht të gjithë prindërve që patën durimin dhe mbeshtetën bojkotin duke ua bërë me dije se për mosnotimin e nxënësve në gjysëmvjetorin e parë fajtor është drejtoria dhe ne nuk do pranojmë kurrsesi organizimin e provimit klasor . Nëse kjo ndodhë, atëher atij le ti nenshtrohen shkelësit e ligjit.

Këshilli, edhenjëherë falenderon të gjithë ata që e mbështetën, e sidomos prindërit pa dallim që nuk u thyen deri në fund të fitores së kësaj beteje e cila, urojmë të jetë fillimi i çmontimit të kësaj kupole që po ia merr frymën Malësisë dhe çdo gjëje shqiptare .

Kurse, për ata që këtyre ditëve po rrahin gjoksin se kinse e paskan zgjidh problemin, e që asnjëherë nuk e hapën as gojën për këtë e shumë çështje tjera , u themi t’ i rrinë poltronit siper sepse ka kaluar koha e shitjes së goglave për gështenja!

Këshilli i prindërve edhe mëtutje do vazhdojë betejën ligjore e gjyqësore deri në zgjidhjen e shumë problemeve tjera që ka shkolla fillore në Tuz sepse ky është obligimi i çdo prindi. Politika, feja dhe qellimi jonë i vëtëm është – arsimimi dhe edukimin e fëmijëve tanë që janë ardhmëria e këtij vendi.

Me respekt.

Këshilli i Prindërve