Lajçi thotë se malazezët kanë synime ekspansioniste ndaj Kosovës (Video)

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, gjatë një konference për media, të mbajtur lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se marrëveshja aktuale është bërë në mënyrë huligane.

Deputeti i Kuvendit mendon se Mali i Zi ka synim ta pushtojë Kosovën, pavarësisht që është njëri ndër shtetet e para që e ka pranuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike.

Për deputetin Lajçi qëllimi i Malit të Zi dhe Serbisë është i njëjti, ekspansionizmi.
Ai nuk është ndalur me kaq, por e ka këshilluar Malin e Zi që të rrinë urtë dhe të tregohet të mençur.

“LVV mban qëndrimin e njëjtë, për shkak të premtimit të saj për të mbrojtur sovranitetin. Synimet eskpansioniste të Malit të Zi dhe Serbisë mbesin të hapura ndaj territorit të Kosovës. Qeverisë së Malit të Zi i themi dhe duhet përsëritur se synimet e tilla janë të së kaluarës. Ata duhet të jenë të urtë, të qetë dhe të tregohen të mençur”, ka thënë Lajçi në një konferencë për media në selinë e kësaj partie.