Intervistë me muzikantin e ri nga Malësia Aleksander Vulaj

Malësia.Org – Fillimisht, me pak fjalë a mund të na thuash kush është Aleksander Vulaj?

Aleksander Vulaj – Jam një djalë i Malësisë që u rrit me pasion të madh për muzikën shqiptare. Vij nga fshati Vulaj, afër Tuzit. Jam 20 vjeçar. Kam përfunduar shkollën fillore dhe atë të mesmen në Tuz. Në këtë periudhë jam duke i shqyrtuar mundësitë e mia për të ardhmen, për studime e sfidat tjera që i bjen jeta. Ëndrra e jetës sime është muzika.

Malesia.Org – Kur filluat të merreni me muzikë, a mund të na thoni kur keni hetuar të vetvetja se keni prirje për muzikë?

Aleksander Vulaj –  Muzikën shqiptare e kam dashtë nga fëmijëria. Jam rrit në një rreth ku u adhurua shumë muzika jonë.Talentin tim më së pari e kanë vrejtë familja ime e ngushtë,pastaj edhe shoqëria ime,dhe kështu me sugjerimin e tyre por edhe me ndjekjen e ndjenjave të mija,kam filluar të merrem me muzikë. Me muzikë kam filluar të merrem që nga koha kur e kam marr në dorë për herë të parë çiftelinë,si 10 vjeçar. Pastaj jam zhvillua si instrumentist në veglat tona popullore siç janë:çiftelia,sharkia,fyelli etj. Më vonë inkuadrohem në ansamblin “Shqiponja” nga Tuzi.

Malësia.Org – Kur u paraqitet për të parën herë në skenë?

Aleksander Vulaj – Për herë të parë para publikut jam paraqit si anëtar i shoqatës të cilën e përmenda më lartë.Ai takimi im i parë me publikun ka mbet i paharruar për mua. Emocionet që i përjetova ishin të veçanta dhe të panjohura për mua deri në atë moment. Atëherë e kuptova se nuk dua të ndahem më nga skena.

Malësia.Org – Përpos sintit, a dini të përdorni ndonjë instrument tjetër muzikor?

Aleksander Vulaj – Siç e ceka në përgjigjen time më lartë,së pari kam filluar me veglat tona popullore,por nuk isha i kenaqur vetëm me aq.Pastaj te unë u zgjua edhe interesimi i madh për klaviaturën dhe me ndihmën morale dhe profesionale nga shoqëria dhe kolegët e mi muzicienta, u zhvillova edhe si instrumentist në klaviaturë, saktësisht sint.

Malësia.Org –  Ju tani pothuajse ja keni filluar suksesit si muzikant duke marrë pjesë në ceremoni të ndryshme gazmore si në Malësi , po ashtu edhe në Shqipëri dhe  Kosovë. A mund të na flisni pak për mbështetësit tuaj, pra për ata njerëz që ju kanë përkrah në profesionin tuaj?

Aleksander Vulaj – Po,është kënaqësia ime e madhe pjesëmarrja që kisha nëpër evenimente të ndryshme në Malësi,Kosovë si dhe në shtetin tonë amë Shqipërinë. Përkrahësit e mi të vazhdueshëm janë:familja ime e ngushtë dhe e gjerë, shoqëria ime si dhe kolegët e mi nga fusha e muzikës. Dua ti përmendi në veçanti këngëtarin e mirënjohur Malësorin dhe instrumentistin Viktor Nicaj, të cilët kurdoherë më ofruan përkrahjen e tyre të pa rezervë. Pa harrua ta përmend edhe axhën tim nga Amerika i cili kurrë nuk u ndal me mbështetjen e madhe morale po edhe financiare për mua. I falënderoj nga zemra.

Malësia.Org – Me kënd bashkëpunoni nga këngëtarët në Malësi, apo cilët janë këngëtarët tuaj të preferuar?

Aleksander Vulaj – Kam bashkëpunuar me shumë këngëtar por në veçanti dua ti permëndi këngëtarët e mirënjohur: Malësorin ,Andrea Nicaj si dhe instrumentistin e mirënjohur Viktor Nicaj të cilëve përherë u jam mirënjohës.Këngëtaret e mi të preferuar janë te gjithë ata qe me kujdes punojnë këngët e tyre e që kanë krijimtari te pasur artistike.

Malësia.Org  – Cili është mendimi juaj për muzikën që përformohet nga këngëtarët shqiptarë?

Aleksander Vulaj – Muzika që krijohet nga krijuesit tonë dhe interpretohet nga këngëtarët shqiptarë është goxha cilësore në këtë kohë. Kemi studio të mira dhe të pajisura shumë mirë,dhe nga ato dalin këngë me cilësi të larta artistike. Fatkeqësisht,më duhet ta ceki se ka edhe muzikë e cila punohet me kujdes më të vogël,nëpër studio më primitive,dhe kështu hasim edhe në muzikë jo shumë cilësore. Mendoj se duhet të kemi kujdes edhe nga kiçi e shundi i cili fatkeqësisht është prezent në skenën tonë, por besoj se me vetëdijesimin e gjeneratave të reja,këto fenomene do të zhduken dalëngadalë,dhe shqiptaria jonë do të prodhojë veç muzikë të mirë cilësore.

Malësia.Org – Cilat janë momentet më frymëzuese për Ju apo kolegët tuaj, gjatë paraqitjes në skenë?

Aleksander Vulaj – Frymëzimi te unë vjen nga shumë faktorë. E përmenda kur e kam marr çiftelinë për herë të parë në dorë.Ishte moment tepër i bukur e frymëzues. Vetë Malësia e vlerat që i ka ky vend janë frymëzuese për mua. Poashtu zëri i natyrës së Malësisë. Një moment i veçantë për mua ishte kur i kam veshë veshjet tona kombëtare për herë të parë. Ishte aq emocionuese e aq mbresëlënëse për mua. Të gjitha këto kam dëshirë që ti paraqes në tingujt e muzikës,me u shpreh përmes veglave muzikore.

Malësia.Org – Çfarë mendoni përgjithësisht për muzikën, këngën dhe këngëtarët në Malësi?

Aleksander Vulaj – Muzika në Malësi dallon për nga cilësia nga muzika e shumë trojeve tjera shqiptare. Në Malësi nuk e duan muzikën e korruptuar,nuk e duan tallavanë, e as muzikën e pavlerë. Kemi pas fatin e madh që gjendemi afër një qyteti shumë të lashtë si Shkodra, e cila ka një kulturë të veçantë e shumë autoktone. Kështu ky qytet i dashur për neve na ka reflektuar me muzikë po edhe me vlera tjera që rrjedhin nga aty. Muzika ndonëse paksa më folklorike që praktikohet te ne në Malësi,por e ka atë shpirtin shkodran i cili në një mënyrë shumë unike paraqitet në tingullin tonë. Ashtu janë edhe këngëtarët e instrumentistët tonë.Malësia është një vend që ka dhënë njerëz të mëdhenj në gjitha fushat e shkencës,kulturës,artit,që janë të njohur në mbarë shqiptarinë por edhe në mbarë botën.

Malesia.Org – Me siguri kini plane në të ardhmen. A mund të ndani me lexuesit e portalit tonë, së paku atë që kini paraparë si prioritet në punën tuaj të ardhshme ?

Aleksander Vulaj – Planet janë të shumta për të ardhmen. Mendoj që jam goxha ambicioz dhe besoj se me punën e vullnetin tim do ti arrij ato që i ëndërroj. Ëndrra ime është që të lë gjurmë në interpretimin e veglave tona muzikore në mbarë shqiptarinë.

Malesia.Org –  Faleminderit për intervistën si dhe ju uroj suksese të njëpasnjëshme në karrierën tuaj ?

Aleksander Vulaj – Është kënaqësia ime e veçantë që mu dha rasti të shprehem për portalin e Malesia.Org, një portal e faqe të cilën gjithmonë e kam ndjekur me admirim e simpati të veçantë,i cili kurrë nuk u lodh nga informimi i mirëfilltë për shqiptarët e Malësisë e më gjerë,si dhe nga kontributi në vetëdijesimin kombëtar të brezave të ri në Malësi. I përshëndes nga zemra të gjithë lexuesit e kësaj interviste, që nga diaspora jonë në SHBA dhe gjetiu deri te vendlindja jonë.

Intervistoi: Albert Camaj – Malesia.Org