Ulqini të dielën e kaluar mbajti zgjedhjet lokale të radhës. Nga rezultatet paraprake të Komisionit Zgjedhor Komunal qytetarët e kësaj komunë me të drejtë vote, edhe kësaj herë si çdo herë deri më tani, votuan shqip. Votëbesimin ua dhanë subjeteve të tyre të preferuara politike. Thënë me gjuhën e statistikës u siguruan atyre 19 ulëse në përbërjen e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Me këtë veprim civilizues dëshmuan pjekurinë e tyre politike për t’u mundësuar shqiptarëve të qeverisin me Ulqinin katër vitet e ardhshme.
Dhe derisa sovrani e tha fjalën e vet. Tani mbetet në partitë politike shqiptare Forcën (9 këshilltarë), Unionin Demokratik të Shqiptarëve (3 këshilltarë) dhe Koalicionin “ Zgjohu Ulqin” ( 7 këshilltarë) të përbërë nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Iniciativa Qytetare “ Perspektiva”, që të dëgjojë zërin e qytetarëve. Të bëjnë atë që nuk arritën ta bëjnë para zgjedhjeve. Të kalojnë vetveten. T’i lënë interesat personale. T’i harrojnë mosëmarrëveshjet. Mëritë. Mllefet. Inatet. Intrigat e kaluara dhe të bëhen bashkë këto parti , që të formojnë një koalcion serioz, stabil e të qëndrueshëm .
Ndërkohë partitë shqiptare në Ulqin, sikurse edhe në të gjitha trevat tjera shqiptare në Mal të Zi, vazhdimisht kritikohen me të drejtë për mungesë bashkëpunimi dhe për mosarritjen e një uniteti të përbashkët. Ato për fat të keq ende vazhdojnë të jenë të përçara dhe shumë keq të çara në mes vete sa kjo duket se është e pamundshme. Megjithatë, mbështetësit e tyre duan të besojnë se liderët e partive të përmendura shqiptare do ta kuptojnë se me teke nuk ecet në politikë. Dhe, se pikërisht mund të jenë ata që të ulen në tavolinë. Të bashkëbisedojnë e të shtrijnë dorën e pajtimit , duke lidhur besën me njëri-tjetrin dhe të tregojnë fuqinë e kombit shqiptar për të marrë timonin e drejtimit dhe të zhvillimit në këtë komunë.
Këtë “besëlidhje” të re të partive politike shqiptare e presin me padurim të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëkombësit e tyre brenda dhe jashtë vendit. Kjo do të ishte formula më e mirë dhe modeli më i preferuar për të zgjidhur ethet paszgjedhore në këtë komunë dhe për të zgjidhur dilemën se a janë apo jo shqiptarët e denjë dhe të gatshëm për të qeverisur me Ulqinin.
Partitë politike shqiptare në këtë komunë duhet të arrijnë të unifikojnë interesat dhe qëndrimet e veta politike e në asnjë mënyrë të ndahen disa në pushtet e disa në opozitë. Sepse asisoji ujin e çojnë në mullirin e huaj dhe do të merren veçse me njëra-tjetrën, duke harruar popullin shqiptar që ua dha votën dhe nuk i ndëshkoi për dështimet e tyre të deritashme. Pra , subjektet nacionale shqiptare le të jenë bashkë, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë. Bashkimi bën fuqinë. Dhe kjo fuqi është fitore.
Gjekë Gjonaj