50 milionë euro për të vendosur një rekord të ri transferimesh në Bundesligën gjermane. Bayern Munchen është rikthyer në garën për Elseid Hysaj, duke rivalizuar me Juventusin në Serinë A, Barcelonën dhe Atleticon e Madridit në La Ligan spanjolle dhe Manchester United e Arsenalin në Premier Leaguen angleze.
Sipas mediave në Itali, gjigantët bavarezë janë gati të paguajnë klauzolën e përcaktuar nga Napoli për prishjen e kontratës. Së fundmi është zbuluar edhe kushti që transferimi të realizohet: pagesa e shifrës duhet të realizohet nga data 1 deri më 15 korrik.
Ky është afati i vetëm kohor kur klubet e interesuara për mbrojtësin shqiptar mund të mësyjnë për t’ia rrëmbyer 24-vjeçarin Napolit, me Hysajn që është një prej pikave më të forta të skuadrës së Sarrit dhe i ka bindur të gjithë me paraqitjet në nivele të larta.
Nëse Bayerni do të fitonte garën me klubet e tjerë të mëdhenj europian, blerja e Elseid Hysajt për 50 milionë euro do të vendoste edhe një rekord transferimesh në Bundesligën gjermane, aty ku për momentin primati mbahet pikërisht nga bavarezët, me 41,5 milionë euro të paguara te Lyoni për mesfushorin Korentin Tolisso gjatë verës së kaluar.