Kuvendi i Tuzit, themelon trupat e punës

 

Më 29 mars 2018, u mbajt seanca IV e Kuvendit të Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqyteti, me ç’rast themeloi trupat dhe forumet e punës, si dhe identifikoi klubet e këshilltarëve dhe kryetarët e tyre.

Kështu, kryetar i Klubit të këshilltarëve nga Alternativa Shqiptare u emërua Nik Gjeloshaj, nga Lidhja Demokratike Shqiptare, Ivan Ivanaj, nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Enis Gjokaj, kurse nga Partia Demokratike e Socialistëve, kryetar u emërua Halil Dukoviq, nga Partia Boshnjake, Hidajet Kallaç, nga Social-demokratet, Samir Axhoviq, kurse nga Demokratët, kryetar u emërua Shtjefën Camaj. Kuvendi emëroi këto trupa të punës:

Këshillin për dhënien e propozimeve për emrat e vendbanimeve, rrugëve dhe shesheve;

Këshillin  për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim të Kuvendit të Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit;

Këshillin për planifikimin dhe rregullimin e hapësirës, ​​aktivitetin komunal dhe rezidencial, transport dhe mbrojtjen e mjedisit;

Këshillin për aktivitete shoqërore, bshkëpunim ndërkomunal dhe ndërkombëtar;

Këshillin për Statut dhe rregullore

Në fund edhe pse kryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj, seancën e deklaroi të mbyllur, jashtë procedurës fjalën e mori këshilltari i PDS-së, Elvis Kerkanoviq, i cili bëri promovim politik për kandidatin e tyre presidencial Millo Gjukanoviq dhe falënderoi malësoret për përkrahje ndaj liderit të tij.

Lidhur me këtë reaguan Këshilltari i LDSH-së Ivan Ivanaj dhe ai i Demokrateve Shtjefën Camaj.

Këshilltari i LDSH-së Ivan Ivanaj,  tha se ky kuvend po shndërrohet përsëri në cirk dhe theksoi se me këtë bisedë edhe ata që kanë dashtë ta votojnë, tash nuk do ta votojnë.

Ndërsa këshilltari i Demokratëve Shtjefën Camaj, tha se Millo Gjukanoviq nuk mbahet mend për asgjë të mirë vetëm për largim të rinjve nga Malësia me politiken udhëheqëse që ka bë Gjukanoviq dhe tha se gjithashtu  ata e mbajnë mend për fluturimin e Shqiponjës.

Albert Camaj