Gjatë përplasjes mes protestuesve dhe policisë kanë mbetur të plagosur 13 punonjës të policisë, ndërkohë mësohet se kanë mbetur të plagosur edhe disa protestues.
Qytetarë të Kukësit dhe zonave përreth kanë protestuar sot pranë tunelit të Kalimashit në “Rrugën e Kombit”, duke kundërshtuar tarifën për kalimin e automjeteve.
Gjatë protestës kanë mbetur të plagosur 13 punonjës të policisë. Protesta ka filluar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa i është vënë zjarri objekteve të sporteleve ku është planifikuar të bëhet pagesa për kalimin e automjeteve, duke i dëmtuar.
Protestuesit kanë bllokuar për disa orë edhe qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që kanë insistuar që të anulohet vendimi për pagesën automjeteve që kalojnë në “Rrugën e Kombit”.
Në protestë kanë marrë pjesë përveç qytetarëve edhe përfaqësues të pushtetit lokal në Kukës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
– Reagojnë Meta dhe Rama
Për protestën kanë reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj.
“Presidenti Meta shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në Rrugën e Kombit dhe keqardhjen për personat e lënduar gjatë protestës së sotme. Ai bën thirrje për evitimin e dhunës për vetëpërmbajtje dhe dialog e mirëkuptim me qëllim normalizimin e situatës”, thuhet në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë.
Ndërsa kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale shkruan se “Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë.”
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, në një konferencë për mediat tha se gjatë përplasjes mes protestuesve dhe policisë kanë mbetur të plagosur 13 punonjës të policisë. Ndërkohë mësohet se kanë mbetur të plagosur edhe disa protestues.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë njoftoi disa ditë më parë se pas testimit të sistemit për tarifat e kalimit të automjeteve do të përcaktohet data e fillimit të kalimit kundrejt pagesës.
Për motorët është caktuar tarifa prej 2.5 euro dhe për veturat 5 euro, ndërkohë kjo kundërshtohet nga banorët e Kukësit, por edhe nga shoqatat e biznesit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.