Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se do të japë përgjegjësi për menaxhimin e situatës me turqit e deportuar.
Erdogan, në fjalimin e sotëm, ka kritikuar kryeministrin e vendit, për shkarkimin e ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi. Shkarkimi i tyre erdhi si përgjigje e arrestimit në Kosovë dhe deportimit në Turqi të 6 shtetsve turq në një proces sekret, duke mos rrespektuar ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, dhe në padijeni të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
Ai i ka ftuar qytetarët e Kosovës të dalin dhe të protestojnë kundër Haradinajt.
“Agjencia Turke e Inteligjencës, me një operacion në Kosovë 6 prej këtyre (FETO) i kapën këta përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan dhe i sollëm. Por, kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës largoi nga detyra personin në krye të inteligjencës dhe ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”, tha presidenti Erdogan, gjatë fjalimit, raporton AA, përcjell Telegrafi.
Më tej Erdogan, gjatë fjalimit, e ka quajtur kryeministrin Haradinaj “kukull”, litarët e të cilit i lëvizin të tjerët.
“Karriera e kryeministrit të Kosovës do të merr fund”, tha Erdogan.
Ndërkaq, gjatë fjalimit të tij Erdogan ka përgëzuar Agjencinë Turke të Inteligjencës (MIT) që sipas tij ka arrestuar pjesëtarët e organizatës që ai e konsideron terroriste.
Ata janë dërguar në Turqi me një aeroplan të posaçëm nga ana e MIT.
Këshilltari i Haradinajt: Kryeministri nuk mund të shantazhohet e as kërcënohet
Besnik Tahiri, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të presidentit turk, Erdogan, i cili tha se Haradinaj do të marrë përgjegjësi për veprimet e tij, pas arrestimeve të shtetasve turq.
Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se pozicioni i Erdoganit është tregues që kryeministri nuk e ka ditur dhe nuk është pjesë e filmit ‘Deportimi’.
“Dy çështje dua ti them: 1. Ramush Haradinaj nuk mund të shantazhohet e as kërcnohet, këtë e dinë të gjithë por nuk dëshirojnë ta pranojnë. 2. Ky pozicion i Erdoganit është tregues që kryeministri as nuk e ka ditur dhe as nuk është pjesë e Filmit ‘Deportimi’”, ka shkruar Tahiri.
Kryeministri Haradinaj nuk ka dashur t’i komentojë kërcënimet e presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan.
Kosova ta tërheq ambasadorin nga Ankaraja
Ish – diplomati kosovar, Lulzim Peci, ka kërkuar veprime nga shteti i Kosovës, pas kërcënimit të hapur që presidenti turk i ka bërë kryeministrit të Kosovës.
Ai ka thënë si hap të parë duhet tërhequr në konsultime Ambasadori kosovar në Ankara.
Ndërsa, Peci tash drejtor i KIPRED-it, ka thënë se pas kësaj deklarate të Erdoganit ndaj Kryeministrit te Kosovës, Qeveria duhet ta tërheq në konsultime Ambasadorin e Kosovës në Ankara dhe se paku t’i dërgoj demarsh ambasadores turke në Prishtinë.