Sikur disa parti shqiptare të ishin lojal ndaj çështjes shqiptare aq sa janë lojal ndaj Malit të Zi dhe Millo Gjukanoviqit, pozita e shqiptarëve në këtë shtet do të ishte shumë më e mirë !
Në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën me 15 Prill 2018, përballë 6 kandidatëve të tjerë opozitarë, me 53,8% fitoi kandidati i PDS-së, Millo Gjukanoviq, njeriu që dominon në politikën malazeze rreth tre dekada me radhë.
Edhe një herë shqiptarët i dhanë përkrahjen pa rezervë Millo Gjukanoviqit megjithëse në këto zgjedhje një numër i konsiderueshëm i votuesve shqiptarë abstenuan,pra nuk votuan asnjërin kandidat. Pa marrë parasysh se a ishte vendimtare(përcaktuese) vota e shqiptarëve në zgjedhjen e Gjukanoviqit për president, medeomos ajo ishte e rëndësishme për të kaluar pesëdhjetë përqindshin.
Ashtu si edhe në të kaluarën , pra edhe kësaj radhe pjesa më e madhe e faktorit politik shqiptar (me përjashtim të LDSH-së) i dhanë përkrahjen kanditadit Gjukanoviq,në mënyrë paushale duke mos shtruar paraprakisht asnjë çështje apo kërkesë për të drejtat kolektive të shqiptarëve në Mal të Zi.
Subjektet kryesore politike shqiptare kështu kanë vepruar dhe janë sjellur që nga viti 1997, atëherë kur PDS u nda mëdysh dhe në zgjedhjet presidentciale që u mbajtën me 19 Tetor 1997 , falë përkrahjes dhe votës së shqiptarëve, Millo Gjukanoviq fitoi dukshëm ndaj rivalit të tij të atëhershëm, Momir Bullatoviq.Megjithëse një muaj para këtyre zgjedhjeve, është nënshkruar dokumenti i ashtuquajtur ” Marrëveshja për parimet minimale të zhvillimit të infrastrukturës demokratike në Mal të Zi” nga përfaqësuesit e partisë në pushtet ( DPS), përkatësisht kryetarit të saj Millo Gjukanoviq dhe përfaqësuesve të atëhershëm të partive politike shqiptare, ku ishin parashtruar edhe disa kërkesa të shqiptarëve,kërkesa këto shumica e të cilave edhe pas 21 viteve, mbetën vetëm në letër,pra nuk u realizuan.
Rasti tjetër i volitshëm për faktorin politik shqiptar i cili ka mundur që të shfrytëzohet në favorin e tyre, ka qenë referendumi për pavarësinë e Malit të Zi, me 21 Maj 2006, ku shqiptarët jo vetëm që luajtën një rol të rëndësishëm në këtë referendum,por kësaj radhe vota e tyre ishte vendimtare në realizimin e pavarësisë së këtij shteti. Persëri shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik , nuk e shfrytëzuan fuqinë apo influencën e tyre votuese si kompromis për të arritur përmirësimin e statusit politik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Kurse me 27 Janar të vitin 2016, me rastin e votëbesimit të mandatit të Gjukanoviqit dhe qeverisë së tij, ishin votat e dy deputetëve nga rradhët e partive shqiptare,që i dhanë infuzionin politik Millo Gjukanoviqit,pra vota e tyre ishte vendimtare në vazhdimin e mandatit të tij dhe kjo u bë pa asnjë kushtëzim nga ana e këtyre partive shqiptare të cilat ishin pjesë e kualicionit të atëhershëm qeveritar. Këtu përmendem vetëm disa, por ka edhe shumë raste të tjera të cilat dëshmojnë në mënyrë konsistente mbështetjen pa rezervë të shumicës së subjekteve politike shqiptare ndaj partisë në pushtet.
Është interesant një sondazh të cilin me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi, në Maj të vitit 2016 është realizuar nga agjensia IPSOS, dhe publikuar në gazetën malazeze “Pobjeda”, lidhur me ate se si e përjetojnë qytetarët shtetësinë e Malit të Zi.Sipas këtyre rezultateve 94% e shqiptarëve e përjetojnë Malin e Zi si vendbanim të vetin, që është 2% më shumë se në nivel shtetëror. Pra sipas kësaj ankete shqiptarët dalin më lojal dhe më të përkushtuar ndaj Malit të Zi se sa vetë malazezët (!?)
Dhe këtë lojalizëm të shqiptarëve ndaj shtetit dhe pushtetit, Millo Gjukanoviq e ka përdorur me aq mjeshtri gjatë gjithë karrierës së tij politike si dhe për qëllimet e partisë që ai përfaqëson,pra PDS-së. Gjithashtu, duke qenë gjithënjë i vetëdijshëm për faktin se opcioni i përkrahjes së kandidatëve të opozitës,posaçërisht asaj me program pro-serb,( qofshin ata në zgjedhjet parlamentare apo presidenciale), për shqiptarët ka qenë jashtë çdo konsiderate, kjo i ka dhënë mundësi dhe fuqi plotësuese Gjukanoviqit që të veproi me kushtet e tia jo obliguese ndaj kërkesave të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre politik.
Në fakt, Gjukanoviq sa herë që e ndiente se është i kërcnuar politikisht apo sa herë që ishte në pyetje mbijetesa e tij dhe e PDS-së , ai gjithënjë ka luajtur me kartën e elementit pro-serb në Mal të Zi.
Me vite të tëra, një ndër strategjitë të cilën partia në pushtet e Millo Gjukanoviqit e ka përdorur në mënyrë perfide, ka qenë edhe ajo se shumë prej kërkesave të shqiptarëve janë kategorizuar si kërkesa të cilat “çojnë ujë në mullirin e pakicës serbe” (!?). Shembulli më i mirë i kësaj është kërkesa për statusin e komunës së plotë të Tuzit ( Malësisë). Qeveria e Malit të Zi dhe partia udhëheqëse e saj ( PDS) e ka zvarritur realizimin e komunës së plotë të Tuzit ( Malësisë) me dekada të tëra me preteks se me shkëputjen eventuale të Tuzit si komunë në vehte mund të ndikojë në ate që udhëheqja politike e Podgoricës të “kalojë në duart e opozitës serbe”, arsyetim ky të cilin ata e kanë përdoruar sa herë që shqiptarët shtronin një kërkesë të tillë. Pra, gjatë gjithë kësaj kohe kërkesa për statusin e plotë administrativ për shumicën shqiptare të Malësisë u mbajt peng dhe u sakrifiku si pasojë e llogaritjeve politike të partisë së Millo Gjukanoviqit e cila si prioritet kishte vazhdimësinë e mbajtjes së pushtetit (në Podgoricë) , dhe jo plotësimin e mirëfilltë të kërkesave të shqiptarëve.
Parashikohet që në Shtator të këtij viti (2018), më në fund të vijë deri te jetësimi i komunës së plotë të Tuzit, por kjo do të arrihet vetëm atëherë pasi që kjo kërkesë (pra, kërkesa për komunën e plotë) është “mjelur” në maksimum nga pushteti qendror për ineresat e tyre politike.
Shpeshëherë politika definohet edhe si shkëmbim i interesave të palëve të caktuara dhe në rastet që përmendim në këtë shkrim, duket sikurse shqiptarët ishin palë apo entitet ofrues ( ata që jepnin) dhe jo palë pranuese ( ata që merrnin).Një praktikë tjetër që përdoret në demokracitë përendimore është se asgjë në politikë nuk jepet falas apo në mënyrë paushale, pa u siguruar se shërbimi apo favorizmi që ia bën dikujt, edhe do t’ju rikthehet. Në rastin e shqiptarëve shërbimi, përkrahja ndaj pushtetarëve të Malit të Zi , posaçërisht gjatë 20 viteve të fundit, ka qenë rrugë një drejtimi, pra ishin shqiptarët , përkatësisht përfaqësuesit e tyre politik që pothuajse çdo herë dhe në çdo moment të rëndësishëm e vendimtar për Malin e Zi, ata e kanë përkrahur pa rezervë qeverinë e këtij shteti.
Deri tani,përkrahja që shqiptarët i kanë dhënë partisë në pushtet dhe Malit të Zi,ka qenë disproporcionale në krahasim me ate se sa ata kanë kontribuar për shtetin dhe pushtetin e Malit të Zi . Gjukanoviq dhe partia e tij kanë përfituar më shumë ndaj përkrahjes së shqiptarëve se sa shqiptarët kanë përfituar nga politika e tij. Këtu nuk e kam fjalën për disa privilegje apo pozita të caktuara që kanë përfituar subjektet politike që bashkëqeverisin me pushtetin qendror, por bëhet fjalë për (mos)përmbushjen e të drejtave kolektive të shqiptarëve në sferat e ndryshme jetësore si në ekonomi, arsim,shëndetësi, çështjen e të drejtave pronësore, punësimin proporcional në organet shtetërore, përfaqësimin autentik të shqiptarëve etj.
S’ka dyshim se këtij raporti në mes pushtetit dhe faktorit politik shqiptar i ka kontribuar edhe fakti se partitë politike shqiptare ( ata të cilat janë pjesë e bashkëqeverisjes qendrore),kanë kaluar nga lojalizmi në servilizëm.
Shkenctari i njohur Albert Einstein (Ajnshtajn) ka thënë;
“ Kujdes kur ndihmoni dikë. Kufiri në mes të asaj që të jeni të dobishëm dhe të jeni të përdorur shpeshëherë është i padukshëm”
Xheladin Zeneli 19 Prill 2018