Ujkaj: Shqiptarët po shkojnë drejt një krize identiteti

Nga Toni Ujkaj

Se shqiptarët në Mal të Zi, përkatësisht përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare po shkojnë drejt një krize të identitetit, , kjo s’ do të duhej të vihej tashmë në dyshim. Dëshmia më e mirë për këtë konkluzion timin personal, vjen pikërisht nga zgjedhjet presidenciale të mbajtura këtë të diel në Mal të Zi, të cilat nxorën fitues liderin e “përjetshëm”,  siç e quajnë disa media dhe agjenci të huaja, Millo Gjukanoviqin.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë në Mal të Zi u rreshtuan sikur në një garë sporti, se kush i pari ta mbështesë kandidatin në fjalë, duke i potencuar edhe arsyetimet e tyre se pse shqiptarët në Mal të Zi duhet ta  votojnë kandidatin në fjalë, tashmë presidentin, Millo Gjukanoviq.

Por, si duket këta “patriotë të flaktë” për çështjet e interesave kombëtare, kishin harruar  thirrjet që ata ju bënin votuesve të tyre besnikë në prag të zgjedhjeve lokale të para pak muajve, përfshirë zgjedhjet në Tuz dhe Ulqin, ku këta përfaqësues politikë bënin thirrje të votohen ata (partitë nacionale) dhe të mos e votojnë PDS-në dhe drejtuesin e saj Millo Gjukanoviq, me arsyetimin e tyre të atëhershëm se Gjukanoviq përbën rrezik.

Duke i analizuar veprimet e këtyre liderëve “besnikë” që flasin në emër të atyre që i përfaqësojnë, me keqardhje mund të konstatohet se këta liderë, me paturpësinë më të madhe të ndikuar nga interesat dhe postet personale, nuk e kanë problem të ndryshojnë qëndrim dhe të sillen siç thotë një fjalë popullore “nga të fryjë era”, duke harruar tërësisht interesat e përgjithshme të popullit që përfaqësojnë, e duke i tradhëtuar ata në mënyrë direkte.

Për fat të keq, votuesi shqiptar nuk pëson befasinë dhe zhgënjimin e pare nga liderët e tyre Për ta është një zhgënjim në vargun e zhgënjimeve,  pasi liderët e tyre i kanë fjalët e mëdha nëpër fushata parazgjedhore por pas zgjedhjeve, veprat flasin ndryshe, patriotizmi i tyre është i barasvlefshëm me zero, dhe votuesit tradhëtohen pa pikë problemi.

Duke u nisur nga kjo praktikë e cila për fat të keq është prezente prej shumë dekadash tek lidershipi shqiptar në Mal të Zi, marr shkas t’i pyes ata votues të ndershëm se mos vallë a ka ardhur koha që të vetëdijesohen se përfaqësuesit e tyre nga një palë zgjedhje në zgjedhje të tjera, po ju tradhtojnë si mos më keq. Pse? Sepse praktika e deritanishme e politikëbërjes së këtyre liderëve,  ka treguar se interesat e përgjithshme të shqiptarëve (të votuesve të tyre) nuk janë parësore por dytësore ose tretësore, duke rendur pas interesave të tyre vetjake e duke anashkaluar ato të popullit që i votoi dhe i solli nëpër poste të ndryshme.

Kanë qenë plot katër subjekte politike shqiptare që në këto zgjedhje presidenciale kanë ftuar simpatizantët e tyre që ta mbështesin dhe votojnë kandidatin Millo Gjukanoviq me arsyetimin se ai po çon vendin drejt integrimeve euro-atlantike dhe garant i stabilitetit.

 

Nisur nga ky qëndrim i tyre, mund të konstatoj se këta përfaqësues politikë shqiptarë janë nisur drejt një krize identiteti, pasi që një herë bëjnë thirrje t’i votojnë ata, pra partitë nacionale shqiptare e në anën tjetër i harrojnë thirrjet e tyre, duke bërë apel që të votohen ata të cilët këta përfaqësues politikë shqiptarë në prag të çdo fushate parazgjedhore i akuzojnë. E akuzojnë Gjukanoviqin dhe partinë e tij për shumë të këqija që ju kanë sjellë shqiptarëve në Mal të Zi.

Në deklarimin për pro ose kundër kandidatit në fjalë, ka qenë vetëm një parti politike shqiptare që është deklaruar kundër mbështetjes së Gjukanoviqit e cila njëkohësisht ftoi simpatizantët e saj që këto zgjedhje presidenciale të bojkotohen, e po kështu për mendimin tim do të ishte dashur të veprojnë dhe partitë e tjera nacionale nëse do të ishin besnikë ndajë votuesve të tyre edhe pse ndoshta nuk ka pasur kandidat më të pranueshëm për shqiptarët duke shikuar orientimin e disa kundër-kandidatëve që garuan në këtë garë.

Megjithëkëtë, duhet potencuar se këto zgjedhje presidenciale ishin edhe një test i radhës dhe një sprovë për politikëbërësit  shqiptarë,  se sa ata u qëndrojnë besnikë votuesve të vet dhe se sa ata  respektojnë qëndrimet e tyre në raport me votuesit shqiptarë në Mal të Zi.

Nisur nga realiteti i hidhur ekzistues, këta përfaqësues “patriotë“ në mënyrën më transparente po i tradhëtojnë votuesit e tyre. Të ndikuar verbërisht pas posteve që ju ofrohen, ata harrojnë votuesit e tyre të ndershëm dhe besnikë e po kështu harrojnë se kush janë në të vërtetë (kush do të duhej të ishin), cilat janë qëllimet e tyre dhe detyrimet morale ndaj votuesve dhe ndaj kombit dhe kështu fatkeqësisht nuk dinë më se në ç’ udhëkryq të radhës do të përfundojnë.