Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit u mbajt manifestim historiko-letrar (VIDEO)

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, në bashkëpunim me Institutin për Zhvillim e Kulturë, organizuan në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, një manifestim historiko-letrar me temën “Skënderbeu në letrat shqipe”.

Ligjëruese në këtë aktivitet, që u moderua nga Drejtuesja e Institutit për Zhvillimin e Kulturës, znj. Liridona Sinishtaj, ishin Prof. Dr. Dhurata Shehri – studiuese e letërsisë, Universiteti i Tiranës, e cila prezantoi studimin me temë: “Miti letrar i Skënderbeut” dhe Dr. Erenestina Gjergji-Halili – studiuese e letërsisë, poete, Universiteti i Tiranës, e cila paraqiti studimin me temë: “Një dramë e sapozbuluar për Skënderbeun”.

Aktiviteti u mbajt në sallën e Kuvendit të Tuzit. Në të ishin të ftuar dhe morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Tuzit, drejtues të subjekteve politike shqiptare dhe përfaqësues të tyre, historianë, studiues, shkrimtarë e poetë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme që veprojnë në Malësi e Ulqin, etj. Nga Kosova ishin të pranishëm Drejtori i Agjensisë së Arkivave të Kosovës, z. Ramë Manaj dhe Sekretari i Kuvendit të Kosovës, z.Ismet Krasniqi.

Aktiviteti u ndoq dhe u pasqyrua nga mediat vendase në gjuhën shqipe. / Ambasa Shqiptare në Mal të Zi/