Ministrja e kulturës e Shqipërisë takon përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi

Ministrja e kulturës në Qeverinë e Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi u takua sot me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Mal të Zi.

Takimi u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë.

Në takim morën pjesë kryetari i UDSH-së Mehmet Zenka, kryetari i LDSH-së Nikollë Camaj, kryetari i ASH-së Gjergj Camaj dhe përfaqësuesi i LDnëMZ-së Marash Dedvukaj.

Kryetari i UDSH-së dhe ministri i Pakicave Mehmet Zenka, në bisedën me ministren Kumbaro, foli për pasurinë dhe kulturën mija vjeçare të Ulqinit, me të cilët mund të krenohen shqiptaret kudo që janë dhe problemet me të cilat ballafaqohen, transmeton TV Boin.

Zenka gjithashtu potencoi çështjen e nevojës së formimit të një qendre për kulturën e shqiptarëve në përgjithësi në Mal të Zi, natyrisht me ndihmën e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Kryetari i LDSH-së, Nikollë Camaj, potencoi çështjen e Qendrës për kulturë në Tuz, e cila nuk është në favor të ruajtjes së kulturës të popullit autokton, çështjen e Muzeut Etnografik të Malësisë, i cili është lanë në mëshirën e fatit e në të cilin gjinden mijëra eksponate që ruajnë trashëgimisë tonë .

Camaj foli edhe për kërkesën e parashtruar nga LDSH, për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në Tuz, në vitin Jubilar të Skënderbeut, duke potencuar se lidhur me këtë presin që ministria e kulturës së Shqipërisë në bashkëpunim me ministrinë e kulturës së Malit të Zi, të ndihmojnë dhe ti përkrahin në këtë proces.

Përfaqësuesi i LDnëMZ-së, Marash Dedvukaj, e njoftoi Kumbaro me problemet e Parkut Nacional  në Liqenin e Shkodrës, ku si të punësuar nuk ka asnjë shiptarë edhe pse turistët vinë pë të parë lejlekët të cilët banojnë kryesisht në gjirin e Hotit.

Ndërsa kryetari i ASH-së, Gjergj Camaj, duke u ndërlidhë me bisedat e të tjerëve, shtoi se është e nevojshme që të gjendet një mënyrë për të shpëtuar pasurinë kulturore të Shtëpisë-Muze të Shtjefën Ivezaj dhe prezantoi subjektin e vet i cili është i kyçur në strukturat shtetërore, për të dhënë kontribut për të mirë.