Draga: Presidentin e përcaktuan votat e popujve pakicë

Nga Nail  Draga

Zgjedhjet e treta  presidenciale pas shpalljes së pavarësisë së  Malit  të Zi, kësaj radhe u dalluan nga të mëparshmet me numrin e lartë të  konkuruesve për postin e presidentit si dhe me kohën e shkurtë të fushatës zgjedhore. Por, ajo qe i ka befasuar qytetarët është e dhëna se opozita ndonëse kishte paralajmërime se do të dalin ne zgjedhje me një kandidat të vetëm, ata nuk patën konsenzus, duke u përcaktuar në momentin e fundit për një kandidat i cili dukej se ishte një zgjidhje e imponuar,  gjoja si kandidat jopartiak, por pa ndonjë epitet karizmatik në opinionin e gjerë në Mal të Zi. Nga ana tjetër opozita  e vetquajtur qytetare u paraqit me kandidatin e cila ishte përfaqësuese e Partisë Socialdemokratike që u mbeshtet edhe nga subjekti politik DEMOS-i, duke qenë risi sepse ishte kandidatja e vetme femër deri më tash në zgjedhjet presidenciale.

Edhe pse është pritur qe DPS-i  të dalë me herët me kandidatin e vet për president ata u përcaktuan në javën e fundit për kryetarin e partisë së tyre M.Gjukanoviqin, duke eliminuar spekulimet se ai kësaj here nuk do të kandidohet. Duke marrë parasysh rrethanat aktuale politike, këtë kandidat e mbeshtetën partnerët e koalicionit qeveritar, do të thot partitë politike të pakicave në Mal të Zi. Një mbeshteje e tillë nga fillimi jepte për të kuptuar se M.Gjukanoviqi është në përparësi të madhe ndaj konkurenteve të tjerë, që u dëshmu edhe nga sondazhet parazgjedhore.Por, dilema qendronte ne ate se sa do të jenë të motivuar qytetarët për të dalur në zgjedhje dhe si do të jetë përcaktimi i tyre në kutitë e votimit.

Zgjedhje pa befasi

Sipas të dhënave nga KZSH nga 532.599 qytetarë me të drejt vote, këtë të drejtë  e kanë shfrytëzuar  340.462  votues apo 63.92% e qytetarëve apo 10% me pak votues, së në zgjedhjet parlamentare në vitin 2016. Nga ana tjetër  fletë të vlefshme gjithsej  kanë qenë  334.464. Pas numrimit të votave kandidatët për president kanë marrë këto vota: Gjukanoviqi 180.274 vota apo 53.9% e votave të përgjithshme, M.Bojaniqi 111.711 vota (33.4%), D.Vuksanoviqi 27.441 vota(8.2%), M.Millaçiqi  9.405 vota (2.81%), H.Kallaçi 2.677 vota (0,8%),  V.Miliçkoviqi 1.593 vota (0.48%) dhe  D.De­de­i­qi 1.363 vota (0,41%).

Duhet cekur më këtë rast  se nga të dhënat numërike të votave të kandidatëve konkurues, del se tre kandidatë kanë fituar numër simbolik të votave, përktësisht  më pak se kanë siguruar nënshkrime për tu kandiduar, nga del se ato kanë qenë të vetdijshëm për mundësitë e tyre por si duket në pyetje ishte përfitimi financiar e asgjë më shumë.

Votat e popujve pakicë vendimtare për fitore

Të dhënat numërike  dëshmojnë fitorën e M.Gjukanoviqit i cili vet ka fituar më shumë vota se të gjithë të tjerët së bashku. Një rezultat i tillë nuk ishte befasi duke pasur konkurent të dobët, por pyetja ishte se sa do të ishte diferenca me vota ndaj të tjerëve. Por,nëse analizohen votat sipas komunave përkatësisht të vendvotimeve te popujve pakicë del se fitorën presidentit të ri ia kanë siguruar në rundin e parë pikërisht ata. Një e dhënë e tillë nuk është befasi se  tash njëzet vite janë votat e popujve pakicë që janë duke përcaktuar fituesin. Kujtojmë me këtë rast zgjedhjet presidenciale(rundi i dytë) me 19.10.1997, ku  Millo Gjukanoviqin president e kanë bërë votat e popujve pakicë e poashtu kanë qenë vendimtare edhe në referndumin për pavarësi të Malit të Zi me 21 maj 2006. Po ashtu edhe Qeveria e formuar pas zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit 2016 është formuar duke u mbeshtetur në deputetet e popujve pakicë. Nuk ka dilemë se një dukuri e tillë  këtu është specifike qe e veçon këtë vend nga të tjerët në regjionin e Ballkanit perëndimor.

Rekomandime nga Shqipëria e Kosova

Me të shpallur kandidaturën për president M.Gjukanoviqit i ofruan mbeshtetje subjektet politike parlamentare  të popujve pakicë si të boshnjakëve e kroatëve  po ashtu nuk mungoi mbeshtetja e subjekteve politike parlamentare te shqiptarëve(UDSH, AA, FORCA). Ndërsa nga ato  joparlamentare ndër të parat që i ofroi mbeshtetje ishte Partia Demokratike. Por, duhet cekur se vetëm një subjekt politik i shqiptarëve nuk i ofroi mbështetje e ajo  ishte LDSH, duke dhënë arsyetim për një veprim të tillë, duke ftuar antarët e elektoratin votues  shqiptar që të abstenojnë në votim.

Në lidhje me këto zgjedhje presidenciale  siç duket në sajë të rrethanave gjeopolitike ne regjion dhe më gjërë  subjektet politike shqiptare kanë  pasur rekomandime nga përfaqësuesit politikë  e shtetëror nga Shqipëria dhe Kosova  që shqiptarët pa hezitim ta votojnë M.Gjukanoviqin. Dhe nga  një situatë e tillë mediatike e politike  duke mos pasur ndonjë alternativë tjetër, shqiptarët me shumicë e votuan M.Gjukanoviqin, duke e vlerësuar si kandidat me i pranueshëm në krahasim me konkurentët e tjerë. Por, nëse analizojmë daljen e votuesve shqiptarë në vendvotime del se një numër i konsideruar ka abstenuar, duke e shfrytëzuar të drejtën e tyre qytetare për të mos votuar asnjë kandidat, ku rasti i Ulqinit meriton një analizë të veçantë!

Dështimi  i opozitës dhe abstenimi i qytetarëve

Nga të dhënat  statistikore te tyre zgjedhjeve bie në sy abstenimi i një numri të lartë të qytetarëve. Madje  në total  një numër i tillë nuk është i vogël por  195.137 qytetarë me të drejtë vote nuk kanë votuar. Atëher më të drejt bëhët pyetja se kush humbi më së shumti nga një abstenim i tillë. Nuk ka dilemë se më së shumti humbi opozita përkatësisht kandidatët e tyre, sepse ka munguar motivimi i qytetarëve për të dalur në zgjedhje. Një konstatim të tillë e mbeshtesim në faktin se kanë abstenuar më së shumti ata nga ana e opozitës e jo të pozitës  që dëshmon edhe rezultati përfundimtar.

Opozita nuk duhet të akuzoj të tjerët për dështimin e tyre, sepse ky nuk është dështimi i parë, por duhet të jenë kritik se me retorikë të demoduar, me qasje destruktive e madje edhe antishtetërore ka qenë e pamundur të arrijnë më shumë, duke shënuar dështimin e radhës. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe joseriozitetin në përcatimin e kandidatit për president duke e caktuar ate në momentin e fundit, si dhe ndarjën e opozitës në dy grupe, ishte e qartë se kandidati i DPS-it përkatësisht i shumicës parlamentare kishte përparësi, sepse pas tij ka qendruar e tërë infrastruktura shtetërore me të gjitha kapacitetet ekzistuese.

Opozita aktuale i konvenon pushtetit

Për dështim të tillë më së paku janë fajtorë qytetarët të cilët nuk kanë  qenë të motivuar për të dalur në votime. Përkundrazi dështimin duhet kërkuar  të lideret e opozitës të cilët vuajnë nga kompleksi i egoizmit dhe atavizmit politik të cilët edhe pse   kanë  përjetuar humbje të vazhdueshme, qendrojnë ende në pozitat e tyre, pa menduar për të dhënë dorëheqje, duke iu dhënë mundësi të rinjëve të cilët janë pa hipoteka dhe kanë gadishmëri e guxim të ballafaqohen me realitetin e skenës politike në Mal të Zi.

Vetëm një ndryshim i tillë kadrovik në strukturat udhëheqëse  dhe me një qasje politike  optimale   për qytetarët e këtij vendi, do të ishte mundësi reale  për  ndërrimin e   pushtetit në mënyrë demokratike. Në të kundërtën pushtetit  aktual i konvenon një opozitë e tillë destruktive, ataviste e heterogjene dhe pa vizion, sepse  duke i falenderuar asaj këto vazhdojnë pushtetin  pa ndërprerje tash tri dekada nga miratimi i pluralizmit, duke qenë rast i veçantë në  vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore.