Nga Gjekë Gjonaj
Një mjedis më i pastër sot, një mjedis më i shëndetshëm nesër. Këtë fjali na e kanë mësuar mësuesit e biologjisë qysh në bankat e shkollës fillore. Por, a mjafton vetëm kaq? Them pa mëdyshje, jo! Pse? Sepse pak kush nga ne veprojmë dhe sillemi në përputhje me domethënien e plotë të kësaj fjali. E ajo është të ruajmë nga ndotja dhe të pastrojmë më shumë mjedisin publik përreth nesh. Në këtë mënyrë ne nuk i vijmë në ndihmë vetëm Tokës, por edhe vetes tonë, mbase, siç dihet, Toka është shtëpia jonë, është oborri ynë, është kopshti ynë.
Pa një mjedis të pastër e ardhmja jonë nuk mund të jetë e sigurt dhe e shëndetshme. Prandaj, detyra jonë, e të gjithëve, është të ndalojmë shkatërrimin në çdo komponent të mjedisit nga dora e keqe e njeriut, në mënyrë që ndotja e tokës të jetë e kontrolluar, e mirë menaxhuar dhe brenda standardeve të BE-së. Duhet të bëhemi pjesë e aksioneve vullnetare, siç ishte për shembull ajo në Ulqin, e cila u organizua më 22 prill me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Pikërisht me këtë datë shumë qytetarë, fëmijë, të rinj e të moshuar kudo në botë ndajnë pak kohë për të mbjellë një pemë, pastruar një territor publik, përuruar një lulishte apo për të marrë pjesë në aktivitete që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin qytetar ndaj çështjeve mjedisore.
Edhe për Ulqinin kjo ishte një ditë e veçantë për t’i shprehur mirënjohjen tonë Planetit Tokë, i cili mbështetet në të gjitha format e jetës. Tri gjëra veçmas më bënë përshtypje. Në njërën anë shqetësimi për ndotjen e mjedisit ku jetojmë. Në anën tjetër ndërgjegjësimi i grupmoshave të reja dashamirës të natyrës për të pastruar Plazhin e Madh nga mbeturinat urbane dhe mosinteresimi për angazhimin e duhur të popullatës vendase në mbrojtje të mjedisit të tyre, të cilët për fat të keq ende nuk e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është mjedisi dhe për të menduar “ekologjikisht”.
Gjëja më pozitive e këtij aktiviteti gjithsesi ishte dhënia e një porosie ndërgjegjësimi, se të gjithë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur dhe mbajtur pastër tokën dhe mjedisin, meqë janë shumë të dobishme për shëndetin tonë. Sigurisht se nuk mjafton vetëm një ditë të kontribuojmë në ruajtjen e mjedisit. Mjedisi kërkon punë të përditshme e të përvitshme. Për t’u kujdesur për planetin tonë, ne kemi nevojë për çdo orë e çdo ditë! Mos harrojmë se tokën nuk e kemi trashëguar nga babai, por e kemi hua nga djali, thotë një proverb amerikan.