Teatri “Teuta” nga Ulqini shfaqi në Tuz dramën “Nana”

Në prani të një numri të konsiderueshëm spektatorësh, aktorët në fjalë kanë paraqitur një tematikë mjaft interesante dhe të domosdoshme për të hequr vëmendjen në veçanti ndaj të rinjve, që ata ta duan dhe ta respektojnë nënën ashtu sikurse ajo e meriton.

Kjo shfaqje e cila është dhe shfaqja e parë me të cilën ka startuar veprimtarinë e vet kulturore teatri “Teuta” i themeluar vetëm para një viti e gjysmë,  është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku, ndërsa duhet pranuar se shfaqje të tilla mungojnë në Malësi, andaj janë kurdoherë të mirëseardhura.

Regjisori i dramës “Nana”, Munib Abazi u shpeh për “Kohën Javore” se kjo shfaqje e cila simbolizon një figurë shumë të madhe që është ajo e nënës, është vënë në skenë me qëllim që ajo të ketë ndikim pozitiv që nëna të jetë njeri i lumtur siç e meriton.

“Mirëpo rrethanat nuk shkojnë gjithherë ashti siç i planifikon njeriu dhe një ndërmjetësuese shumë e madhe e cila bën një përçarje ndërmjet nënës dhe djalit është nusja e cila vjen në shtëpi. Pra, kam dashur në një moment që të paraqes një jo stabilitet të djalit pasi ai është i obliguar ndaj nënës dhe jo nusja. Djali si person paraqitet jashtëzakonisht si jostabil, në fillim ata janë jetimë, jetojnë në kushte shumë të vështira, mirëpo djali fillon duke u rritur dhe më vonë nëna e marton. Mirëpo, në martesë fillon një përçarje ndërmjet tyre, ku djali ndahet dhe jeton vetë dhe po kështu nëna mbetet vetëm në shtëpi tjetër. Ambiciet e mëdha të nuses, dëshira e madhe që  ajo të jetë shumë e respektuar në aspektin e punës së saj, bën që gradualisht edhe djali të fitojë një animozitet ndaj nënës dhe ai në fakt fillon të pësojë dëmtime shëndetin e tij. Fillon të pijë, të bëjë shamatë me gruan, duke i shkuar përherë ndërmend se në mos është pikërisht faji ndaj  nënës kjo që po i ndodh”, shprehet Abazi.

Kjo dramë përcjell mesazh të qartë se duhet  të përkujdesemi më shumë për nënën dhe të mos e lëmë atë asnjëherë të harresë, por t’i kushtojmë më shumë vëmendje e respekt.

Kjo është hera e parë që teatri “Teuta” nga Ulqini e shfaq dramën “Nana” në Tuz, ndërsa premiera e saj është dhënë në qytetin e Ulqinit.

Aktorët e këtij teatri duke treguar sukses të madh me shfaqjen “Nana” e cila është pëlqyer tejmase nga të gjithë  ata që kanë pasur rastin ta ndjekin deri më tani, më pas do të  rrugëtimin e shfaqjeve edhe përtej Oqeanit atlantik, ku do ta paraqesin dramën “Nana “ në teatrin e madh,  “Simphony space” në qytetin e Nju Jorkut – Manhatan më 6 maj.  /Koha Javore, t.u/