Muzeu etnografik i Malësisë, një pasuri e çmuar kulturore e Malësisë së Madhe

Mbyllja e tij do të ishte humbje e madhe për etnografinë malësore

Toni Ujkaj

Muzeu Entograik i Malësisë, i cili pasqyron në mënyrën më të mirë kulturën materiale dhe shpirtërore të popullatës së Malësisë së Madhe ndër shekuj, u ngrit pikërisht para 16 vitesh në Malësi nga një njeri i etur për ruajtjen dhe trashëgiminë e kulturës së vet, nga Z. Shtjefën Ivezaj, një veprimtar i palodhur për të arkivuar dhe ruajtur gjësende të ndryshme të cilat na identifikojnë si popull i lashtë e autokton në këtë trevë.

I pasionuar tejmase për grumbullimin e koleksioneve të ndryshme në seksionin e filatelisë, galerisë, fototekës dhe bibliotekës, Ivezaj pareshtur, me kurajo, këmbëngulje dhe dëshirë të madhe, i ndihmuar edhe nga bashkëshortja e tij e cila qe një krah i djathtë i tij prej fillimi deri më sot, ka bërë një punë kolosale në evidentimin dhe ruajtjen e vlerave materiale dhe shpirtërore që e identifikojnë dhe e personifikojnë ndër shekuj Malësinë e Madhe.

Ky muze, që nga themelimi i tij është vlerësuar lartë dhe vazhdon të vlerësohet duke qenë se ai paraqet një pasuri të paçmuar në ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave tona etnografike dhe etnokulturore të cilat padyshim që do i kishte mbuluar pluhuri i harresës sikur të mos ishte ngritur kjo shtëpi muze që është e para në Malësi këndej dhe andej kufirit.

Duhet pranuar që ngritja e kësaj shtëpie muze nuk ka qenë e lehtë, duke iu referuar edhe kushteve jo të favorshme në të cilat është ndërtuar. Por, si duket, dëshira dhe pasioni i flaktë për të jetësuar një vepër kaq madhore, ka triumfuar përballë kushteve të vështira ekzistenciale. E potencova këtë realitet pasi pronari i këtij muzeu, Z. Shtjefën Ivezaj, në bashkëveprim me të shoqen e tij, vendosën përfundimisht para 16- vitesh që shtëpinë e tyre familjare ta shndërrojnë në muze, një veprim që jo shumëkush do ta kishte bërë.

Bashkëshortët u dakorduan që të bëjnë një sakrificë të skajshme, të jetojnë në kushte të vështira dhe mizore. vetëm për të ruajtur, kultivuar e trashëguar një pasuri kulturore dhe të paçmuar të një populli autokton, me synim që të mos shlyhen dhe të mos humbasin gjurmët dhe origjina e pasurisë kulturore të këtij populli kaq të lashtë.

Themeluesi i këtij muzeu në çdo aktivitet kulturor ku ka qenë i ftuar por dhe nëpër përvjetorë të muzeut, ka treguar një modesti njerëzore, duke thënë :“Nuk kam mundur më shumë të bëj për Malësinë dhe kombin shqiptar, veç ngritjes dhe mirëmbajtjes së këtij muzeu etnografik prej vitesh”. Kjo modesti e gërshetuar me një butësi shpirtërore që reflektohet në vetë natyrën e Shtjefën Ivezajt dhe kjo punë kolosale, ka krijuar një admirim te një gamë e gjerë e personaliteteve dhe figurave të ndritura të shqiptarëve si nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, e diaspora shqiptare në Evropë, SHBA e gjetiu.

Ndër vite ky muze u vizitua nga një numër i madh vizitorësh, admiruesish të trashëgimisë kulturore, studiuesish, mediash, personalitetesh politike e publike nga të gjitha anët, nga autoritete të larta shtetërore të cilët nga çdo vizitë mbetën të mahnitur e të befasuar pozitivisht duke u vetëpyetur se si një njeri i vetëm ka arritur të grumbullojë dhe të sistemojë një thesar kaq të pasur kulturor, një kontribut që ata e kanë vlerësuar lart, duke e barasvlerësuar me një veprimtari që mund ta kishte bërë vetëm një qeveri, dikaster kulturor apo ndonjë shoqatë e fuqishme.

Por, fatkeqësisht kjo shtëpi muze edhe pse ruan një pasuri të çmuar dhe të shenjtë të vlerave kulturore, nuk ka gëzuar asnjëherë vëmendjen e duhur dhe të merituar të institucioneve kompetente për ta vlerësuar dhe mbështetur në përmirësimin e kushteve të infrastrukturës së gjithanshme që ende i mungojnë. Pothuajse çdo vit, në çdo vizitë apo përvjetor, pronarit të këtij muzeu i janë dhënë premtime të njëpasnjëshme se ai do të asistohet për mirëmbajtjen dhe administrimin e këtij muzeu, madje ai shpeshherë ka marrë premtime nga autoritete të larta të kulturës si të Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi ashtu dhe nga ajo e Shqipërisë të cilët janë zotuar se do ta ndihmojnë për ruajtjen e kësaj pasurie, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë nismë për këtë çështje.

Duke e parë realitetin ekzistues, siç duket, premtimet nuk kanë qenë asgjë më tepër sesa fjalë boshe. I ndodhur përballë këtij realiteti të hidhur, në kushte të vështira financiare, me të ardhura simbolike që nuk i mjaftojnë as për të paguar energjinë elektrike që shpenzon për këtë muze, Shtjefën Ivezaj siç duket i ka sosur shpresat dhe durimin për të vazhduar që ta mbajë funksional këtë muze. Jo se ai dëshiron ta pezullojë veprimtarinë e këtij muzeu, për të cilin ai sakrifikoi çdo gjë, por është i detyruar nga halli që e ka kapluar, nga pamunësia financiare për ta mbajtur të gjallë këtë muze.

Ivezaj duke mos parë asnjë dritë në fund të tunelit, duke sosur shpresat nga premtimet që paskan qenë vetëm iluzione për të, kohëve të fundit ka paralajmëruar opinionin se këtë shtëpi muze në përvjetorin e saj të 16- të, do ta mbyllë për vizitorë, studiues e media.

Mosfunksionimi dhe mbyllja e këtij muzeu nuk është një lajm i gëzuar për popullatën autoktone shqiptare që jetojnë në trevën e Malësisë, por përkundrazi është një lajm i hidhur për të gjithë ata që dinë t’i vlerësojnë, t’i çmojnë e t’i ruajnë vlerat e tyre të pasura kulturore që na karakterizojnë ndër shekuj.

Në këtë muze gjenden materiale qindravjeçare nga jeta, puna, tradita dhe shpirti i pasur i malësorëve. Aty ruhen nga pluhuri i harresës shumë vegla shtëpiake, vegla pune, vegla për bujqësi e blegtori, orendi, vegla muzikore, armë, veshje popullore e gjëra të tjera të vjetra, por të rëndësishme nga etnokultura.

Në këtë kontekst, mendoj që do të ishte një domosdoshmëri që më në fund dikush nga institucionet kulturore si të Malit të Zi, Shqipërisë apo Kosovës, të inicojnë ndonjë projekt konkret për t’i ardhur në ndihmë që ta mbajnë të gjallë edhe më tutje këtë shtëpi muze, por jo vetëm për ta mbajtur të gjallë në këto kushte që ai ndodhet prej 16- vitesh, por dhe për t’i krijuar atij kushte optimale sikurse i gëzon çdo muze tjetër etnografik nëpër vende të zhvilluara.

Box- Në këtë muze gjenden materiale qindravjeçare nga jeta, puna, tradita dhe shpirti i pasur i malësorëve. Aty ruhen nga pluhuri i harresës shumë vegla shtëpiake, vegla pune, vegla për bujqësi e blegtori, orendi, vegla muzikore, armë, veshje popullore e gjëra të tjera të vjetra, por të rëndësishme nga etnokultura.