Nga Gjekë Gjonaj
Njëra nga bukuritë që ka vendlindja ime – Trieshi është lumi Cem. Kjo dhuratë e çmuar e natyrës i jep trevës një pamje të mrekullueshme e të papërshkrueshme dhe qetëson syrin dhe shpirtin e çdo kalimtari apo vizitori të rastit. Lugina e tij e freskët e me gjelbërim, japin ndjenjën e qetësisë dhe relaksit. Po ashtu edhe Kanioni i Cemit i quajtur “ Kolorado” malazeze, i cili fsheh plazhe të bukura me rërë dhe vorbulla uji, është atraksion i llojit të veçantë natyrorë dhe potencial turistik i Podgoricës dhe i Malit të Zi. Ky kanion ofron shumë opsione për dashamirët e raftingut, kanoes, kajakimit, ngjitjeve malore dhe peshkimit.
Një shëtitje më këmbë, por sidomos një shëtitje me një mjet të vogël lundrimi do të shpalosë madhështinë e këtij lumi që rrjedh shpejtë. Një udhëtim i vetëm në brigjet (rajonin) e Cemit të ngjallë ndjenja nderimi të thellë për krijuesin e të gjitha të gjërave , duke përfshirë këtu edhe sistemin madhështor lumor.
Shumë lloje bimësh e peshqish jetojnë përgjatë këtij lumi. Shumë lloje gjallesash priren të afrohen pranë Cemit për shkak të insekteve dhe gjallesash bimore nënujore të bollshme. Shpendë të shumtë enden poshtë e përpjetë lumit duke u ushqyer me peshq, insekte, karkalecë, kërminj dhe kafshata të tjera të shijshme. Edhe njerëzit kanë, gjithashtu, nevojë për Cemin. Ai banorëve përgjatë tij u mundëson ujin e pijshëm, vaditjen e kulturave të tyre bujqësore, mbushjen e tubacioneve, larjen gjatë muajve të verës, peshkimin dhe lundrimin.
Muaji qershor, e veçmas korriku e gushti i shndërrojnë plazhet e lumit Cem, nga një zonë rurale, në një mjedis mjaft atraktiv e të preferuar për pushime dhe të populluar nga pushues të ndryshëm që i pëlqejnë bukuritë e këtij lumi, ku duhet veçuar Plazhin e Tërgajës , i cili është bërë vend për larje, pushim e rekreacion për banorët e Malësisë dhe Podgoricës.
Falë mbi të gjitha larmisë së terrenit, klimës, florës dhe faunës lumi Cem, sikur të kishte interesim institucional, do të mund të shfrytëzohet jo vetëm për turizëm për pushime pranë lumit, por edhe për lloje të tjera të turizmit dhe argëtimit. Andaj do të ishte me interes që në të ardhmen lumi Cem të ketë një përkujdesje më të madhe nga shteti, duke filluar nga përmirësimi i rrjetit rrugor përgjatë lumit dhe deri tek sigurimi ( ndërtimi ) i kapaciteteve të mjaftueshme për gjallërimin e tij nëpërmjet nxitjes dhe shtimit të shërbimeve, që përbën boshtin kryesor të zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Derri atëherë Cemi do të jetë një vlerë natyrore e pashfrytëzuar, e cila pret me padurim valorizimin në drejtim të përshpejtimit të këtij procesi sa të nevojshëm po aq rë domosdoshëm në të mirë të të gjithëve.