Mali i Zi mund të ndërtojë gardh me tela në kufirin me Shqipërinë

Mali i Zi po konsideron mundësinë e ndërtimit të një gardhi me tela në kufirin me Shqipërinë për të parandaluar kalimin e emigrantëve ilegalë. Kështu ka deklaruar këtë të dielë një zyrtar i qeverisë malazeze. Për shkak të fluksit të emigrantëve ilegalë, kryesisht sirianë, që kalojnë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, shteti fqinj po mendon të marrë masa për të frenuar këtë fenomen.

“Nëse do të ketë një fluks të madh të emigrantëve, do të ngremë gardh me tela në kufirin me Shqipërinë”, tha për televizionin shtetëror Vojislad Dragovic, kreu i Departamentit për Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror të Malit të Zi.

Ai shtoi gjithashtu se autoritetet shqiptare në shumë raste kishin refuzuar të pranonin klandestinët që kthente Mali i Zi, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të ripranimit të emigrantëve.