Një të shtunë në fshatin Delaj
Nga Gjekë Gjonaj
Mëngjesin e të shtunës, më 2 qershor 2018 , i shoqëruar nga djali im Rajmondi , u nisëm nga Ulqini për në vizitë vendlindjes sime. Pas dy orë vozitjeje mbërijtëm në Qafë të Rozdecit. Aty u ndalëm për pak çaste për të përjetuar një pamje krejtësisht ndryshe. Para vetes kemi një vendbanim të lashtë shqiptar të rrethuar nga bukuritë e natyrës , i cili ka një emër, mali i Trieshit. Një krahinë 20 kilometra larg Podgoricës, ku historia flet shqip, ku e kaluara e bujshme historike ka lënë gjurmë. Edhe sot kjo trevë banohet qind për qind nga popullsi shqiptare të besimit katolik duke ruajtur dhe trashëguar kulturën dhe traditën e bukur shqipe. E pavarësisht sulmeve të ndryshme trieshjanët kanë treguar gjithmonë rezistencë. Kanë treguar që së bashku mund t’ia dalin mbanë, vetëm të bashkuar! Ajo që sulmuesit nuk arritën asnjëherë të merrnin ishte identiteti i shqiptarëve trieshjanë.
Teksa vazhdojmë udhëtimin rrugës së re gjarpërore të asfasltuar vitin e kaluar në gjatësi prerj 12 kilometrash nga donacionet në shumë prej afro 700.000 dollarësh të trieshjanëve në Amerikë të bashkuar në Fondin Humanitar “ Trieshi, nëpër Rudinë, Nikmarash, Budzë, e Stjepoh, për tek Delajt , joshim edhe bukuritë që natyra i ka falur këtyre fshatrave. Sigurisht se secili fshat ( katund) përreth ka historinë e tyre. Të gjitha mbartin vlera të rëndësishme, por ajo që ofron kjo trevë nuk është thjesht një peizazh natyror. Trieshi në përgjithëse e Delajt në veçanti janë vende ku relaksi dhe qetësia kanë ngritur tendën. Vendi ku ajri i pastër këndon rapsodi dhe ku vetë natyra e çiltër e jonarciste të fton në zemër të saj. Ajo ç’ka të bën përshtypje në momentin e parë që futesh në këtë krahinë është fakti që ke ndijesinë se je aty ku duhet të jesh.
Në momentin kur mbërrijtëm në qendër të Delajve gjetëm Nikollë, Kolë, Gjokë, Martin e Kristian Lucaj duke punuar trotuarin e gjatë 150 dhe të gjerë 2 metra. Secili prej tyre është i kënaqur për punën dhe kontributin që jep. Derrisa i vërej ata duke punuar kam bindjen se këta punëtorë veç e veç po bëjnë një punë të vogël e bashkërisht diçka të madhe për të mirën e përgjithsshme.
Sapo u ndava nga këta banorë të fshatit takuam kolegun tim gazetar Pjetër Zefin Lucaj, i cili atë ditë bashkë me bashkëshorten e tij Dijellën kishte dalë nga Tuzi për të vizituar vendlindjen dhe për t’iu bashkangjitur bashkëvendasve të vet në këtë aktivitet punues. I pyetur se cilat janë investimet kryesore në këtë fshat ai me krenari përgjigjet:
“Mërgimtarët e këtij fshati Marash Lucaj ( Nju-Jork) , Rrok Zefi Lucaj e Mark Nikollë Lucaj ( Detroit-Michigen) në themelet e shtëpive të familjarëve të tyre kanë rindërtuar shtëpitë e tyre, të cilat me të drejtë mbajnë epitetin bukuroshet e fshatit. Me donacionet e mërgimtarëve trieshjanë në qendër të Delajve është ndërtuar Kryqi në gjatësi mbi 16 metra, ndërsa trolli është dhuratë e Mark Pjetrit Lucaj. Rrethimi dhe punimet tjera janë investim imërgimtarëve të Delajve. Aty qëndron edhe Truporja e Jezu Krishtit , të cilën mërgimtarti Rrok Zefi Lucaj e ka blerë në Itali”, thotë Lucaj
Se vërtetë për banorët e këtij fshati vendlindja është përkrenarja që kudo shkojnë e mbajnë të kyçur krenarisht në dhomëzat e kujtimeve të tyre dëshmojnë pikërisht investimet e viteve të fundit në përmirësimin e infrastrukutrës.
Me punë, thonë ata, arrihet çdo gjë. E banorët e Delajve dallohen si punëtorë të mëdhenj. Edhe sot njihen si muratorët më të mirë në Triesh. Kur vëren atë mund dhe estetikë të bërë me gurë nga dora mjeshtërore e banorëve të këtushëm ,kupton se këtu jetuan njerëzit punëshumë.
Një pjesë e baorëve të Delajve kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, pjesa më e madhe në SHBA, por vendlindjen kurrë nuk e kanë harruar. Ata kthehen gjithmonë për ta vizituar dhe për t’i shtuar edhe më shumë buzëqeshjen. Njëri nga ata është edhe aktivisti i njohur dhe intelektuali Marash Lucaj, një banor i fshatit Delaj i cili aktualisht jeton prej vitesh në Nju York dhe e drejton mke sukses fondacionin e përmendur më lartë. Ai pasi na ftoi dhe na mirëpriti në shtëpinë e tij të rregulluar për bukuri shprehet: “Edhe pse larg vendlindjes prej vitesh askush nga ne nuk e ka harruar atë. Çdokush prej nesh vendlindjen e kemi në zemër. E ndihmojmë atë për t’ia rikthyer buzëqeshjen e dikurshme, kur fshati gjallëronte, për dallim prej sot kur ndodhet më i vetmuar në mungesë të banorëve.”
Kjo vizitë dyorëshe në këtë vend na e bëri guidën tonë të paharrueshme për nga vlerat e saj natyrore që disponon me anë të monumenteve të shumta që natyra ia ka falur. Investimet e kohëve të fundit në këtë fshat, por edhe në fshatrat e tjera të Trieshit, , janë një hap dhe lajm i mirë se në Triesh dalëngadalë po kthehet jeta.