Emri i ri i Maqedonisë: Republika Veriore e Maqedonisë

Maqedonia dhe Greqia janë pajtuar t’i japin fund çështjes së emrit të Maqedonisë, të kontestuar për më shumë se dy dekada.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se është arritur një marrëveshje historike që vendi të quhet Republika e Maqedonisë Veriore.

Ai tha të martën se zgjidhja e kësaj cështjeje do t’i hapë dyert Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka kthim prapa”, tha kryeministri Zaev në një koferencë shtypi pas një bisede telefonike me kryeministrin grek Alexis Tsipras.

Kryeministri grek u shprejh përmes një deklarate në televizion se marrëveshja do të sqarojë dallimin mes provincës greke te Maqedonisë dhe Republikës së Maqedonisë Veriore.

Më herët gjatë ditës është thënë se dy qeveritë kanë rënë dakord për përdorirmin e termit “shtetas maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase”, ndërsa në pasaportë do të shkruhet “shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore”.

Po ashtu, Shkupi do të bëjë ndryshime në kushtetutën e vendit, duke e hequr referencën “për mbrojtjen e pakicave maqedonase jashtë kufijve të shtetit”.