Në Tuz ka hedhur themelet kopshti- çerdhja e fëmijëve

Do të realizohet projekti i shumëpritur dhe i domosdoshëm për Malësinë që u zvarrit rreth 20 vjet?

Kopshti- çerdhja e fëmijëve, një projekt i shumëpërfolur dhe i zvarritur nga viti në vit, më në fund ka hedhur themelet në Tuz, konkretisht në afërsi të SHF “Mahmut Lekiq”, pranë rrugës magjistrale, shkruan Koha Javore.

Projekti në fjalë ka qenë një lajtmotiv i planeve financiare të Komunës së Tuzit prej më shumë se dhjetë vjetësh, por për fat të keq deri më tani nuk është bërë asgjë konkrete për realizimin e tij, ashtu sikurse kanë mbetur në errësirë edhe disa projekte të tjera me rëndësi jetike për këtë trevë, por që ende po radhiten  nëpër plane financiare dhe asgjë më tepër.

Ndërkaq, punimet për ndërtimin e këtij objekti i cili kap vlerën  1milion e 600mijë euro, kanë filluar më datë 24 maj të muajit që shkoi, ndërsa punimet po vijojnë sipas planit të parashikuar. Duke shikuar plan-projektin i cili është vendosur tashmë në lokacionin ku po kryhen punimet, duket që kemi të bëjmë me një kompleks modern dhe bashkëkohor, që realisht i ka munguar kësaj treve.

Kryetari i Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit, Z. Abedin Axhoviq në një prononicim të shkurtër për Kohën Javore shprehet se kemi të bëjmë me një projekt shumë të rëndësishëm dhe me vlerë i cili sipas tij do të hap perspektiva të reja.

“Unë si kryetar jam tejet i kënaqur me realizimin e këtij projekti madhor, pasi në radhë të parë, kjo do të thotë se do të hapen vende të reja të punës, do të punësohet rinia nga kjo trevë. Nga ana tjetër shpreh kënaqësi të veçantë edhe si prind, pasi që fëmijët do të kenë kushte më të mira dhe më bashkëkohore gjatë qëndrimit të tyre në kopsht- çerdhe. Kopshti në fjalë do të ketë një kapacitet total prej 220 vendesh për fëmijë”, u shpreh Axhoviq.

Kontraktues i këtij projekti me kapacitet total prej 1. 399.45 m 2, është firma “EUROZOX” nga Danillovgradi, kurse investitor është Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Punëve Publike. Afati për përfundimin e punimeve është parashikuar muaji maj i vitit 2019.

Mbetet të shikojmë nëse ky projekt madhor dhe shumë i domosdoshëm për këtë trevë, do të realizohet brenda afatit të parashikuar. /Koha Javore/MALESIA.ORG/