Në Shkodër u mbajt mbledhja e përbashkët e Qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi

Shqipëria dhe Mali i Zi zhvilluan për herë të parë një mbledhje të përbashkët të qeverive përkatëse, në qytetin e Shkodrës. Një praktikë kjo që ishte ndjekur më parë nga kryeministri Edi Rama me qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë.

Të dy kryeministrat theksuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë pozitive.

Ata konfirmuan çështjen e emigrantëve të paligjshëm që nga vendet e luftës kalojnë kufirin në drejtim të Europës. Dusko Markovic mohoi vendosjen e një gardhi në kufi me Shqipërinë, ndonëse Hungaria ishte e gatshme t’ia dhuronte një të tillë Podgoricës.

“Është e vërtetë që kemi evidentuar një fluks më të madh të hyrjeve ilegale nga Shqipëria, por bashkarisht do të punojmë që kufinjtë tanë të jenë më të sigurtë. Mali i zi dhe Shqipëria kanë qasje të përgjegjshme, nuk ka asnjë kërcënim. Ne nuk parashikojmë as vendosjen e gardheve, as ngritjen e kampeve”, tha Markovic.
Ndërsa Rama u shpreh: “Edhe ne kemi pasur oferta për të marrë gardhe dhuratë, por ne jemi popull emigrantësh. Nuk mund të jemi as vende gardhesh, as heronj që të shpëtojmë vendet e pasura nga ata që i shohin si mbetje toksike”.

Kreu i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, pohoi se kanë identifikuar disa piketa të rëndësishme për ti realizuar, jo vetëm në interesin nacional, por edhe atë rajonal dhe më gjerë. Ai, mes tjerash, paralajmëroi hapjen së shpejti të pikë kalimit kufitar në Zogaj, e poashtu edhe në Grabom, në Cem të Trieshit.

Si Mali i Zi ashtu edhe Shqipëria vazhdojnë të “lavdërohen” me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, megjithatë duhet theksuar se trevat ku jetojnë shqiptarët janë më të varfrat në Mal të Zi, me emigrim më të theksuar në krahasim me popujt tjerë, me pabarazi të punësimit në administratë shtetërore dhe publike.  Shqiptarët së bashku me romët janë popujt më të diskriminuar në Mal të Zi, ndërkaq Komuna e Ulqinit me një potencial më të madh se shumica e komunave tjera, gjithnjë është komuna më e varfër bregdetare në Mal të Zi. Ndërkaq Komuna e Tuzit-Malësisë ende nuk është realizuar. /MALESIA.ORG/