Mungesa e tregut dhe e kooperativave bujqësore shqetësim i fermerëve
Toni Ujkaj
Malësi – Bujqësia, sektor ky primar në trevën e Malësisë me të cilën merren pjesa dërrmuese e banorëve të kësaj zone, as këtë vit nuk ka shënuar ndonjë ndryshim pozitiv kur është fjala për të pasur një treg të sigurt dhe të qëndrueshëm në mënyrë që fermerët t’i shesin produktet e tyre. Nga viti në vit në këtë trevë, fermerët, qofshin të vegjël, të mesëm apo të mëdhenj, prodhojnë kultura bujqësore të cilat përveç në kuantitet, kanë dhe kualitet të lartë, siç shpeshherë janë vlerësuar nga specialistë të fushës përkatëse, të cilët siç kanë konstatuar se prodhimtaria e tyre mund të kishte qenë konkurrente përkrah fermerëve në rajon dhe më gjerë.
Por, edhe krahas kësaj dhe pavarësisht punës së zellshme dhe me përkushtim të fermerëve në këtë sektor i cili është dhe kryesori në këtë trevë për burimin e të ardhurave, situata nuk është e volitshme dhe nuk favorizon fermerët e kësaj zone.
Ata herë pas here kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e një tregu të mirëfilltë dhe për mungesë të një shoqate bujqësore (kooperativë) e cila do të merrej me grumbullimin dhe blerjen e produkteve vendore.
Gjithashtu, ata herë pas here shprehin indinjatën e tyre për çmimin e ultë që uu paguajnë grumbulluesit gjatë blerjes së produkteve të tyre bujqësore, të cilin fermerët në çdo sezon shitjeje e kanë konsideruar si një çmim tejet të ultë dhe qesharak.
Duke ju referuar këtyre shqetësimeve me të cilat ballafaqohen fermerët vite me radhë, disa nga ata, kanë paralajmëruar edhe protesta dhe në disa raste edhe bllokim të rrugës ndërkombëtare Tuz- Bozhaj, si shenjë e pakënaqësisë ndaj çmimit të ulët që ju japin grumbulluesit, por edhe për të tërhequr vëmendjen se do të ishte koha të sigurohej një treg i gjerë për shitjen e produkteve vendore dhe të reduktohet importimi i produkteve nga jashtë.
Ndërkaq, veprimtaria bujqësore me kushte të volitshme dhe me mjete bashkëkohore të punës në trevën e Malësisë vazhdon vrullshëm nga viti në vit, por fatkeqësisht situata mbetet e njëjtë kur bëhet fjalë për grumbullimin e produkteve dhe tregut. Disa nga fermerët që janë më të mëdhenj, i kanë grumbulluesit e tyre të përhershëm, por pjesa tjetër nuk mund të thuhet që gëzon të njëjtin fat.
Krahas këtyre problematikave të cilat nga viti në vit mbeten aktuale për shumë fermerë, një shqetësim tjetër për shumë kultivues përbën edhe mos kompensimi i dëmeve të cilat i pëson prodhimtaria e tyre në raste përmbytjesh ose fatkeqësish të tjera natyrore .
Në raste të këtilla dëmi llogaritet në shifra kolosale, varësisht nga sasia dhe përmasat e tokës së punuar, mirëpo kompensimi që ju bëhet fermerëve me të holla ose përmes formave të tjera eventuale është minimal dhe i pamjaftueshëm ose mund të ketë aty- këtu mbështetje simbolike siç e kanë cilësuar shpeshherë fermerët.
Duke shikuar këto problematika me të cilat vazhdon të ballafaqohet sektori i bujqësisë në trevën e Malësisë dekada me radhë, fermerët në shumë raste, kurdoherë që kam dialoguar me ta, kanë shprehur indinjatë aq të thellë saqë kam dëgjuar shumë nga ata teksa thoshin: “as lekët e investuara në prodhimtarinë e sivjetshme nuk i kam nxjerrë, madje kam hyrë edhe në deficit”.
Duke i shikuar dhe analizuar këto brenga të cilat i preokupojnë fermerët e kësaj zone nga viti në vit, do të ishte e udhës por dhe teje e domosdoshme që të iniciohen nisma konkrete për të krijuar ndonjë shoqatë kooperative në Malësi dhe të sigurohet një treg i qëndrueshëm në kuadër të tregjeve malazeze, më synim që edhe fermerëve të Malësisë, t’u krijohet mundësia që t’i sheshin produktet e tyre bujqësore dhe të mos u shkoj mundi “bosh”, të kenë më shumë subvencionime gjatë prodhimtarisë së tyre nga institucionet.