Më 23 gusht 2018, në Vitojën pitoreske, SH.K.A. “Rapsha”, shënoi 40 vjetorin e themelimit të vet, në praninë e mijëra qytetarëve, të ardhur nga viset e ndryshme shqiptare dhe diaspora.
Me këtë rastë u mbajt një manifestim i pasur kulturor dhe artistik, ku u demonstruan këngët dhe vallet tradicionale shqiptare, nga ana e Shoqërive Kulturore Artsitike dhe këngëtarëve të mirënjohur nga viset e ndryshme shqiptare.
Në këtë koncert festiv morën pjesë: Shoqëria Kulturore Artistike “Rapsha”, Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori”, Gjonaj-Prizren, Ansambli Foklorik Autokton Rugova nga Peja-Kosovë, Shoqëria Kulturore Artistike “Dedë Gjo Luli”, nga Hoti, “Grupi nga Tirana”, Ansambli “Shqiponja” -Tuz, Shoqëria Kulturore Artistike “Maja e Karanfilit”, nga Plava dhe Gucia, Shoqëria Kulturore Artistike “Liria” nga Mileshi si dhe Shoqëria Kulturore Artistike “Besa”, nga Trieshi.
Të pranishmit i argëtuan edhe këngëtarë të njohur nga Malësia dhe Shqipëria si Lekë Dedvukaj, Jonuz Delaj , Vaçe Zela, lahutari Ndua Matusha, Arton Nikprelaj dhe këngëtarja Maria Lajçaj.
Të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Shoqërisë Kulturore Artistike “Rapsha”, Lucë Junçaj, i cili njëkohësisht pranoi edhe dekoratën “Misionar të kombit”, të ndarë nga Qendra e Artit dhe Kutlturës Shqiptare, nga Tirana, me motivacion; për kontribut dhe vlera të mëdha kombëtare, gjatë 40 viteve të veprimtarisë artistike.
Dekoratë për Shoqërinë Kulturore Artistike “Rapsha”, ndanë edhe Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori”, Gjonaj nga Prizreni dhe Ansambli Foklorik Autokton Rugova nga Peja-Kosovë.
Të nesërmen, më 24 gusht, në QKI “Malësia” në Tuz, vazhdoi kremtimi i 40 vjetorit të SH.K.A “Rapsha” me promovimin e librit dhe të dokumentarit mbi veprimtarinë e kësaj shoqatë, nga themelimi e deri me sot.
Me këtë rast të pranishmit, në emër të Fondit Humanitar “Rapsha”, nga Diaspora, i përshëndeten Anton Marku Junçaj, kurse në emer të SH.K.A “Rapsha”, nga Malësia, Driton Junçaj.
Për librin folën Profesor Doktor Gjovalin Shkurtaj me temën “ E folmja e Hotit dhe vlerat e saj dialektologjike e etnolinguistike”, Profesor Doktor Ismail Doda, me temën “Këngët kreshnike dhe baladat e rinjohjes në Hot, Malësi e Madhe” dhe magjister Esat Ruka me temën “Organizimet e Festivaleve”. Të pranishmit i përshëndeti edhe profesori i Koreografisë Dilaver Kryeziu.
Ishte ky një organizim mirë i organizuar, më përmasa kombëtare, në të cilin u shfaqen vlerat kulturoro artsitike të shiptareve në Mal të Zi.
Albert Camaj