Të nderuar qytetarë,
LDSH ishte e ftuar që sonte të merrte pjesë në numërimin e sekondave të fundit, para hyrjes në fuqi, të ligjeve, të cilat Tuzit i njohin statusin e komunës së plot. Edhe pse e stërvonuar, na gëzon pa masë realizimi i një aspirate 30 vjeçare, por ne si subjekt politik nuk mundemi, që në mënyrë të organizuar, të marrim pjesë në euforinë pa vend, pasi që fitojmë diçka që moti na ka takuar, por që është mbajtur peng me dekada të tëra, mu nga strukturat që do të punojnë në implementimin e saj. Nëse gëzimi ka vend, festim e euforia assesi, përpos nëse struktura konkrete politike nuk janë të vetëdijshme se po përjetojnë sindromën e Stokholmit.
LDSH, po ashtu, nuk mund të marr pjesë as në legalizimin e përvetësimit të të gjitha angazhimeve që sollën deri te rrumbullakimi formal i statusit të komunës së Tuzit, organizuar nga ASH.
LDSH, e vlerëson se nuk ka vend për eufori as festim, pasi që hyrja në fuqi i një ligji, nuk do të thotë edhe zbatimi i tij, sidomos kur dihet se atë që po e zbatojnë ishin, e një pjesë edhe janë, kryekëput kundër mvehtësimit të komunës së Malësisë.
Festimi do të ketë kuptim vetëm atëherë kur zbatimin e këtyre ligjeve dhe zhvillimin e Malësisë ta marrin në dorë ato struktura që me krejt fuqinë e shpirtit u angazhuan për rivendosjen e këtij statusi, dhe që sinqerisht do të angazhohet për zhvillimin e saj.
Në u urojmë qytetarëve të Malësisë ndërrimin formal të statusit dhe i përgëzojmë, pa far xhelozie, të gjithë ata të cilët, pa hile dhe me përkushtim, kanë vënë, qoftë edhe një guralec, në murrin e kësaj kështjelle, të quajtur komunë.
LDSH falënderon për ftesën, edhe pse nuk ka nevojë kush ta thërras në festën e vet, por është e mendimit se vallja dhe festa duhet filluar pasi që të „zbulohet nusja“!
Më në fund, shpresojmë, dhe na bie mirë nëse të gjitha subjektet politike, pas shumë eksperimenteve, të cilat qenë të papranueshëm vetëm për ne, erdhën aty ku ishim ne që nga viti 1990, dhe shpresojmë që pas zgjedhjeve të para lokale për komunën e plotë të gjejmë mënyrën e një bashkëveprimi të sinqertë, për të mirën e Malësisë, për prosperitetin e saj.
Në këtë drejtim, LDSH mbetet e hapur dhe me shpresë, për një bashkëpunim më të sinqertë se në të kaluarën!
Juaja LDSH