Vështirësi për ndryshimin e kufijve Kosovë – Serbi

Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, ritheksoi idenë për korrigjimin e kufirit me Serbinë, si mundësi të arritjes së marrëveshjes me Serbinë, ide kjo për të cilën nuk po gjen mbështetje nga politika në vend.

Analistët thonë ndërkaq se mundësia e ndryshimit të kufijve ekziston, por mbetet çështje shumë e ndërlikuar dhe tash për tash mundësitë për një marrëveshje të shpejtë mes palëve, megjithë këmbënguljen e Brukselit, duken të pakta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të mbrojë idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, si rrugë për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyre paqësore, me gjithë kundërshtimin e gjerë ndaj ideve të tij në Kosovë.

Të enjten ai sërish kritikoi kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili disa herë ka ritheksuar se ndryshimi i kufijve, mund të çojë në përsëritjen e tragjedive të së kaluarës.

Të mërkurën kryeministri Haradinaj tha në një intervistë në emisionin “Opinion” në televizionin Klan në Tiranë se “vetëm çizmet ushtarake dhe forca vendosin kufij”.

“Ata që po flasin për luftëra, unë jam duke i penguar, kush të ka qejf le ta fillon luftën. 430 kilometra janë kufi me Serbinë udha e mbarë dhe le të shkojnë. Lufta nuk zhvillohet në studio televizive por në istikame”,tha presidenti Thaçi, duke ju kundër përgjigjur deklaratës së kryeministrit.

Kjo përplasje deklaratash ndërmjet dy udhëheqësve të institucioneve të Kosovës ka vazhduar që nga hapja e debatit për mundësinë e ndryshimit të kufijve si rrugë për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë. Idetë e presidentit Thaçi po kundërshtohen ashpër nga opozita ndërsa lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar edhe protesta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili këtë fundjavë shkon në New York, tha se ka një mundësi që atje të zhvillojë një takim të shkurtër me presidentin amerikan, Donald Trump gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.