Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë sot dritën jeshile formimit të Ushtrisë së Kosovës, duke votuar kështu tri Projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Deputetët me 101 vota për miratuan në lexim të parë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, me 98 vota për Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe me 96 vota pro shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Të gjitha grupet parlamentare votuan pro transformimit të FSK-së në, me përjashtim të Listës serbe e cila bojkotoi seancën, raporton Telegrafi.
Përfaqësuesit e Grupeve parlamentare ndonëse theksuan meritat e secilës nga to për transformimin e FSK-së, ata vlerësuan se Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes.
Në paraqitjen para deputetëve të Kuvendit, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha theksoi se hartimi dhe procedimi i këtyre projektligjeve, është bërë në kuadër të normave aktuale kushtetuese që i referohen FSK-së, raporton Telegrafi.
Këto projektligje, parashohin që Forca e Sigurisë së Kosovës të zhvillohet si një forcë me kompetenca dhe detyra të reja, organizim dhe funksionim të ri dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes.
Ditë më parë ministri i FSK-së, Rrustem Berisha kishte dhënë edhe një rezyme për këto tri Projektligje:
1.- Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes – Më këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i MFSK-së në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.
Ministria e Mbrojtjes do të harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivelin strategjik, si dhe do të ushtron funksionet e kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën.
Po ashtu, ky projektligj përcakton në mënyrë të detajuar edhe kompetencat e Ministrisë, kompetencat e Ministrit të Mbrojtjes e po ashtu edhe kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm.
2.- Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës – përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së , si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave e Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.
3.- Projektligji për Shërbimin në FSK – Ky projektligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.
Ky projektligj përcakton kriteret e përgjithshme për shërbim, parametrat e shërbimit, kohëzgjatjen e shërbimit, zhvillimin e karrierës, ndërprerjen e shërbimit, statusin e pjesëtarit të FSK-së, të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve dh çështje tjera në kuadër të shërbimit në FSK.
Është me rëndësi të theksohet se në momentin e krijimit të rrethanave të favorshme politike do të ndryshohet edhe emri përmes procedurave të ndryshimeve përkatëse kushtetuese.