A do të identifikohet me popullin autokton (shqiptarët) stema dhe flamuri i Komunës së Tuzit?
Kuvendi i Komunës së Tuzit ka formuar komisionin për zgjedhjen e Stemës dhe të Simboleve të Komunës, të cilët kanë shpallur konkurs për hartimin e aktvendimit ideor të stemës dhe flamurit të Komunës së Tuzit.
Njëri ndër anëtarët e këtij komisioni, Emin Haxhi, i prononcuar për gazetën “Koha Javore”, vë në dukje se të drejtë pjesëmarrjeje në këtë konkurs kanë të gjithë personat fizikë dhe juridikë (nënshtetas të Malit të Zi), përkatësisht të regjistruar në territorin e Malit të Zi të cilët nuk janë anëtarë të këtij komisioni apo persona të cilët komisioni i ka ngarkuar në punën vet.
“Propozimi për aktvendimin ideor të stemës dhe flamurit të Komunës së Tuzit në pajtim me ligjin mbi vetëqeverisjen lokale, duhet t’u përshtatet karakteristikave historike, kulturore, natyrore, etj, të komunës dhe nuk mund të jenë në të njëjtën formë ose e modifikuar me simbolet shtetërore, simbolet e pjesëtarëve të pakicave dhe bashkësive të tjera të pakicave kombëtare dhe as me simbolet shtetërore të shteteve të tjera apo me simbolin e një partie politike, ndërmarrjeje afariste, institucioni, organizate, etj”, u shpreh Haxhi.
Ai më tutje bëri të ditur se kriteret për hartimin e stemës dhe të flamurit të Komunës duhet të jenë të përcaktuara në përputhje me praktikën e zakonshme heraldike dhe të korrespondojnë me përmbajtjen e përkufizuar në pikën 2 të këtij konkursi.
“Stema duhet të bëhet në dy variante: në atë themelor dhe në atë të zvogëluar, përkatësisht në variantin zyrtar. Stema themelore duhet të përmbajë mburojën si një element esencial heraldik dhe një simbol tradicional të mbrojtjes. Renditja dhe përmbajtja e fushave në mburojë, duhet t’i plotësojë kushtet e praktikës heraldike dhe përmbajtja e tyre duhet të përputhet me kërkesat nga pika 2 e këtij konkursi”, u shpreh Haxhi.
Në të njëjtën kohë, duke folur për kushtet e veçanta lidhur me hartimin e grafikut të stemës dhe flamurit, Haxhi tha se ato duhet të bëhen me ngjyra dhe të dorëzohen në fletë të veçanta të formatit A4.
Ndërkaq, duke treguar se ky konkurs do të zgjasë tridhjetë ditë, Haxhi njëkohësisht ftoi të gjithë personat fizikë dhe juridikë që të aplikojnë gjatë kësaj periudhe.
“Për fituesit e këtij konkursi do të ndahen edhe çmimet në vlera monetare. Çmimi i parë do të shpërblehet me 600 euro, i dyti me 300 euro dhe i treti me 100 euro. Nëse komisionit do t’i pëlqejë punimi i personit që to të fitojë çmim, ai punim do të merret si vendimtar për stemën dhe flamurin e Komunës së Tuzit”, përfundoi Haxhi.
Komisioni për zgjedhjen e Stemës dhe të Simboleve të Komunës përbëhet nga: Emin Haxhi – ushtrues detyre i Sekretariatit për Financa dhe Investime në Komunën e Tuzit, Halil Dukoviq – këshilltar i PDS-së, Ivan Ivanaj – këshillar i LDSH-së, Amra Turuskoviq – këshilltare e PB-së, Vasel Sinishtaj, Selman Axhoviq, Elvisa Rexhematoviq – ushtruese detyre e sekretarit për Vetëqeverisje Lokale dhe Veprimtari Shoqërore dhe Gjergj Camaj – këshilltar i Alternativës Shqiptare.