Blazic: Themelimi i Komunës së Tuzi duhet të arrihet përmes Referendumit

Dekani i Fakultetit për studime shtetërore evropiane në Podgoricë, Prof Dr. Djordjije Blazic tha se statusi i Komunës së Tuzit është në papajtueshmëri me kushtetutën, sepse pikësëpari është anashkaluar e drejta e qytetarëve që të deklarohen përmes referendumit konsultativ.

Siç dihet, OJQ “Qendra Internacionale shkencore” nga Tuzi, ka ngre procedurë te Gjyqi Kushtetues i Malit të Zi, për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e themelimit të Komunës së Tuzit.

Në anën tjetër, edhe pse Ligji për ndryshimin e statusit të Tuzit në komunë të plotë ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori i këtij viti, Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, ende nuk i ka shpallur Zgjedhjet lokale të cilat duhet të shpallën brenda 90 ditëve nga hyrja e ligjit në fuqi.

Se a ekziston hapësirë ligjore që do të pezullonte përmes Gjykatës Kushtetuese realizimin e Komunës, në prill të vitit të kaluar i kishim drejtuar pyetje Vasel Sinishtaj dhe Nik Gjeloshaj.

Sinishtaj atëherë kishte thënë: “Ajo që mund të pritet është pikërisht nisma e kujt të duash tek Gjykata Kushtetuese, ngase nga Ligji për Organizimin Territorial nuk e kanë fshi nenin i cili flet për nevojën e organizimit e referendumit”.

Ndërsa Gjeloshaj kishte thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka baza të pezulloj ndryshimet ligjore përmes të cilave Tuzi fiton statusin e Komunës, dhe se ata që vejnë në pyetje këtë çështje janë manipulues.

Se a është e gjithë kjo e inskenuar që edhe një herë të pezullohet statusi i Komunës, do të zbulohet së shpejti.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e Blazic të dhënë për gazetën Dan:

Dekani i Fakultetit për studime shtetërore evropiane në Podgoricë, Prof Dr. Dordije Blazic, deklaroi për gazetën e përditshme “Dan”, se pozita juridike, pozitive e Tuzit, është në papajtueshmëri me kushtetutën; pikësëpari për arsyen se ua merr të drejtën qytetarëve që të deklarohen në referendumin konsultativ.

“Kur është fjala për kushtetutshmërinë e ndryshimeve territoriale dhe themelimi i komunave të reja, është e nevojshme të merren parasysh normat e Kushtetutës së Malit të Zi për vetëqeverisje lokale. Përndryshe, karakteristika kryesore kushtetuese e qeverisjes lokale rregullohet me nenin 22 të Kushtetutës së Malit të Zi, me të cilin qartë përcaktohet se garantohet e drejta ne vetëqeverisjes lokale. Ky lloj shpjegimi dukshëm ndikon në natyrën juridike të qeverisjes lokale dhe paraqet zgjidhjen kushtetuese më bashkohore të cilën, nuk e kanë dhe shumë shtete më të zhvilluara në Evropë dhe Botë”, ka thënë Blazic.

“Sigurimi i të drejtës në vetëqeverisjes lokale sipas natyrës juridike të vet, paraqet të drejtë natyrore të qytetarëve në qeverisje lokale, e që fitohet me lindje dhe me realizimin e funksioneve jetësore në bashkësinë lokale, dhe nuk varet nga parlamenti dhe as nga cili do organ shtetëror apo organizatë ndërkombëtare”, ka thënë Blazic.

Siç ka shpjeguar ai, e drejta në qeverisje lokale ka natyrë tjetër:
“Kjo është e drejtë “shtetërore” apo “ndërkombëtare” e cila “jepet” me akt ndërkombëtar apo kushtetutë, respektivisht me ligjin e një shteti. Kjo e drejtë varet kryekëput nga vullneti i anëtarëve të organizatës ndërkombëtare, apo të trupit përfaqësues të shtetit – se a do të ua jap apo jo qytetarëve, me akt juridik, të drejtën në qeverisje lokale. Kapitulli i katërt i Kushtetutës së Malit të Zi, qartë rregullon qeverisjen lokale edhe ata, mënyrën e vendimmarrjes (neni 113), llojet e qeverisjes lokale (neni 114), statusi juridik dhe organet e komunës (neni 115), autorizimet dhe financimi (neni 116), dhe autonomia (neni 117). Kështu, forma themelore e vetëqeverisjes lokale është komuna, por mund të themelohen edhe forma tjera të qeverisjes lokale (neni 14)”, shpjegon Blazic.
“Mundësia e themelimit të formave tjera të qeverisjes lokale nënkupton themelimin e formave më të ulëta të qeverisjes lokale (bashkësitë lokale, qendrat koordinuese vendore etj., si edhe më të larta – shkalla e dytë e formës së qeverisjes lokale, siç është rrethi, regjioni…). Me nenin 29 të Ligjit mbi organizimin territorial parashihet që me qëllim të deklarimit të qytetarëve mbi ndryshimin territorial, kuvendi i komunës shpallë, për njësinë e qeverisjes lokale, referendum komunal (referendum konsultativ). Vendimi mbi shpalljen e referendumit sjellët në afatin prej 90 ditësh nga dita e paraqitjes së iniciativës”, thotë Blazic.

Siç shpjegon ai, Referendumi nuk mund të mbahet në ditën kur në atë komunë mbahen zgjedhjet lokale dhe as shtatë ditë para apo pas zgjedhjeve lokale.

“Rezultati i referendumit shpallet për territorin e komunës, kurse në rast të ndarjes dhe ndryshimit të kufijve edhe për territorin me të cilin ka të bëj ndryshimi. Kuvendi komunal ia përcjellë rezultatet e referendumit ministrisë brenda 15 ditëve nga dita e publikimit të rezultateve. Referendumi është një faze e detyrueshme për themelimin e njësive themelore të pavarura lokale siç parashihet me nenin 29 të Ligjit për organizimin territorial, e me të cilin realizohet edhe pika pesë e Kartës Evropiane mbi vetëqeverisjen lokale, të cilën Mali i Zi e ka ratifikuar, me çka, së bashku me Ligjin mbi organizimin territorial dhe në harmoni me principin kushtetues të suprimacionit të të drejtës ndërkombëtare në raport me të drejtën e brendshme, është bërë element i obligueshëm i ndryshimit territorial”, shpjegon dekani i Fakultetit për studime shtetërore evropiane.

Ai ka pohuar se në çdo ndryshim territorial të qeverisjes lokale, prandaj edhe për formimin e komunës së Tuzit duhet të parapri referendumi konsultativ, siç ka ndodhur edhe me themelimin e komunave të Petnicës dhe Gucisë.

Duke e përfunduar deklaratën e vet, Blazic konstaton se mos-mbajtja e referendumit, në frymën e nenit pesë të Kartës Evropiane dhe neneve dy dhe shtatë të Ligjit mbi Organizimin territorial, e bën jo kushtetuese pozitën juridike të Komunës së Tuzit, vetëm për shkak se qytetarëve u merr të drejtën që të deklarohen në referendumin konsultativ.
/MALESIA.ORG/