LDSH: Sllavizimi i trevave shqiptare në Malin e Zi po vazhdon

Të nderuar qytetarë,

Ata çka qeveria e Malit të Zi nuk mundet apo nuk guxon ta bëjë, në mënyrë direkte, po ia kryen shërbëtorja më e devotshme, e më e besnike, Kisha ortodokse serbe, e cila përmes “ortodoksizimit” të shenjtoreve dhe të viseve tona (Shas, Rumi, Guci etj.), po provon të dëshmojë së këtu, pas vet Zotit, banonin sllavët (!?).

Shndërrimi i llamarinës nga Maja e Rumisë, në kishëz me material të fortë, pra nuk dëshmon dobësinë e shtetit, sikur tenton dikush ta paraqesë, për objektiv të pushtetit, i cili po e heshtë këtë aktivitet të kishës serbe, edhe pse ka mjete e mundësi që ta ndal. Nëse për asgjë tjetër, po të donte, do ta ndalte për faktin se në Malin e Zi, sipas ligjit, asgjë nuk mund të punohet pa leje ndërtimi. A mos e ka pasur lejen kjo teneqe, e quajtur kishëz?!

Të gjitha reagimet ndaj këtij vandalizmi të ortodoksizmit serb janë të nevojshme, por, ata që janë pjesë e qeverisë nuk kanë nevojë të kërkojnë llogari nga qeveria, që të dinë se a mund të ndalen punimet, por të veprojnë dhe të ndalin punimet, sepse ata vet janë qeveria.

Së këndejmi ne i ftojmë të gjithë ata që janë qeveri, që gjithsecili nga pozicioni i vet, të marrë masat adekuate për të shpërbërë “veprën” në Majën e Rumisë, përndryshe, po përsërisim konstatimin, tashmë të njohur, se shqiptarët nuk kanë çfarë të kërkojnë në atë Qeveri. Të ankohen për mos-aktivitetet të qeverisë, respektivisht për aktivitet kundër interesave të popullit që e përfaqësojnë, e në anën tjetër rrinë në atë qeveri, nuk është bash e hijshme!

LDSH, nga pozicioni që ka, ngre zërin kundër gjithë atyre që veprojnë, apo me mosveprim e ndihmojnë, shkatërrimin e viseve tona, e në veçanti, shpërbërjen e vlerave tona kulturore e shpirtërore.

Juaja LDSH