Këngëtari i mirënjohur nga Malësia Malësori Prënkoçaj, tashmë është ngjitur lartë në shkallët e karrierës së vet muzikore dhe kështu, me këngët e tij, ka rrëmbyer zemrat e shumë adhuruesëve, si në Malësi, po ashtu edhe në Kosovë, e edhe më gjerë.
Ai në këtë intervistë ekluzive për portalin tonë, foli rreth karrierës së tij muzikore, prezantimin e tij të parë pranë publikut, për bashkpunimin me këngëtarët e tjerë, por foli edhe se sa i pëlqen politika, kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptareve, si pakice kombëtare, e që i mbajnë ende trojet tona shqiptare.
Kësaj herë ai na rrëfen për këngët e përbashkëta me kolegët e tij: Gilin, Shkurte Fejzen dhe Xenin, të titulluar “Bane shqiponjen”, dhuratë kjo për shqiptaret, për festën e 28 Nëntorit.
Malësia.Org – Përshëndetje Malësor, në fillim na tregoni më shumë rreth vetes, Kush është Malësori?
Malësori – Më së pari i përshëndes të gjithë lexuesit e kësaj interviste.
Unë jam një malësor prej vendit ma të bukurit në botë, Malësisë. U linda e u rrita në Podgoricë ku edhe i përfundova shkollën fillore dhe atë të mesme. Mas disa viteve pauze i regjistrova studimet në Universitetin e Prishtinës, në degën Gjuhë e letërsi angleze. Që nga ajo kohë, nga viti 2001, jetoj në Prishtinë.
Malësia.Org – Diçka për fillimet tuaja në fushën e muzikës?
Malësori – Fillimet e mija janë të lidhura me Shoqërinë Kulturo-Artistike “Besa” nga Trieshi, ku në vitin 1997, dola për herë të parë para publikut si, këngetar dhe instrumentist i kësaj shoqate. Në atë vit e kam inçizua edhe këngën e parë në studio, e më vonë edhe albumin e parë. Që nga ajo kohë merrem me muzikë nga e cila edhe jetoj.
Malësia.Org – Nga e morët motivin që të bëheni këngëtar, nga kush u frymëzuat më së shumti?
Malësori – Si fëmi jam frymëzuar nga dajët e mi, tek të cilët dilja gjithmon e rrija e u knaqësha si nipi te dajat. Ata ishin instrumentistë e këngëtarë në shoqaten që e përmenda më lartë. Doda, Zefi e Marku Gjonaj, ishin frymezimi im i parë për muzikë. Nga këngëtarët e kam pas frymezim Nikollën, që sot e kam shok të mirë, po edhe koleg të nderuar. Frymëzime kam marr edhe nga këngëtarët tjerë të shkëlqyeshëm që ka vendi ynë. E kam pas fatin e mirë që jam rrit në një periudhë ku muzika artistike ka qenë më e shprehur se sa sot,po edhe që jam zhvilluar si këngëtar në një rreth ku vlerat njerëzore dhe artistike kanë qenë ma të shprehura se pothuajse në vendet tjera.
Malësia.Org – Cili është mendimi juaj për këngëtarët-et, e sotëm, por edhe ata të së kaluarës?
Malësori – Sot kemi këngetarë të mirë, siç kemi edhe muzikë e krijimtari të mirë. Po krijimtaria e sotme është paksa më ndryshe nga ajo e së kaluarës, kuptohet. Dikur këngëtarët kanë qenë më të kulluar për një stil të veçantë, ka pas kritere. Sot është paksa më kollaj sa ju takon atyre gjërave, mirëpo edhe atëherë edhe sot një këngëtar është dashtë të ketë karakteristikat e veta, si në interpretim si në elemente tjera që e krijojnë si këngëtar.
Malësia.Org – Kë do të veçonit si figura të shquar të muzikës shqiptare, si të asaj popullore, por edhe zhandrreve tjera?
Malësori – Ka shumë këngëtarë të mirë në skenën tonë muzikore. Ua dua zërin, interpretimin po edhe krijimtarinë. I respektoj kolegët e mi, sidomos ata që nuk ndalen së krijuari, edhe ata që krijojnë me shumë kujdes dhe përkushtueshmëri. Gili, Shkurta,Shyhretja, Nikolla, Sinan Vllasaliu, Genta, Adelina, Lori,Teuta Selimi, Liria, Dani… janë vetëm disa nga ata emna të shumtë që i dua dhe i respektoj shumë.
Malësia.Org – Instrumenti më i dashur muzikor për ju cili është?
Malësori – Ka shumë instrumente që i preferoj. I dua shumë instrumentet që tradicionalisht i kemi përdor ne shqiptaret, mirëpo edhe instrumentet tjera nëpër botë që përdoren me shumë mjeshtëri edhe në muzikën tonë. Emocione të veçanta më japin: Lahuta, çiftelia, Sharkia, Buzuku, Gitara, Klarineti, Gajdja, Saksofoni etj.
Malësia.Org – Meqenëse jetoni në Kosovë, shumë artistë nga estrada muzikore janë të kyçur në politikë, a mund ta shofim edhe ju në një të ardhme të afërt në politikë? Si e shifni ju politikën në Kosovë por edhe në Mal të Zi?
Malësori – Unë nuk merrem me politikë edhe pse shpesh i percjelli çka ndodhë në skenën tonë politike. Mendoj që politika shpesh devijon nga idealet tona të mirëfillta kombëtare, varësisht nga influenca e jashtme edhe lakmite individuale e grupore. Nuk e dua shum politikën, edhe mendoj se kurr nuk do të isha ba pjesë e sajë. Unë kam qef me qenë me popullin, e pak me intereson se cilit orientim politik ata i takojnë. Në të vetmin rast më pelqen politika kur bahët fjalë për të drejtat e shqiptarëve si pakicë kombëtare nëpër shtete që i mbajnë ende trojet tona shqiptare.
Malësia.Org – Si ndiheni kur një Televizion i transmeton këngët tuaja, apo kur ndonjë këngëtar i këndon këngën tuaj?
Malësori – Në fillim më dukej më shum interesante se sa sot. Natyrisht që më len pershtypje edhe sot, mirëpo më janë ba si rutinë e përditshme edhe me dukën normale. Ndërsa kur kolegët e mi i këndojnë këngët e mija ndihem i nderuar. Edhe unë i këndoj këngët e bukura të kolegëve të mi, që i dua dhe i respektoj, të cilët kanë krijimtari teper të bukur.
Malësia.Org – Cila është kënga juaj e preferuar?
Malësori – Kënga ime e preferuar nga krijmtaria ime është “Kthehuni”, ndersa e huaj është “Shqipëri oj nëna ime”.
Malësia.Org – Cili është këshilli yt për të rinjtë nga Malësia, të cilët kanë filluar karrierën në muzikë, qoftë si këngëtar apo instrumentist?
Malësori – Malësia jonë është vënd ku lindin njerëzit me talente të mëdha në çdo fushë. Ajo gjithnjë lind talenta mbi talenta. Kam pa e takuar djem e vajza të ri të talentuar për muzikë. Ju kisha këshilluar ti ndjekin ëndërrat e tyre e mos të ndalen kurr, nëse muzikën e kanë nga shpirti.
Malësia.Org – E kemi vërejtur se shumë herë u jepni përkrahje të rinjve nga Malësia, të cilët, si instrumentist, janë me ju, gjatë aktiviteteve tuaja në estradë, çka është për çdo lavdatë, si ju duket puna me ta?
Malësori – Po talentet e ri duhet gjithmonë me i përkrah. Unë mundohem sa është me timen me i përkrah. Ka aty disa të rinjë shum të talentuar, dhe bashkepunimi me ta është një knaqësi.
Malësia.Org – Me të cilët këngëtar, apo instrumentistë, nga Malësia, apo vendete tjera, bashkëpunoni më së shumti?
Malësori – Nuk kam pas deri me tani duete me këngetarët tjerë, me perjashtim të disave. Mirëpo shum shpejtë do ta degjoni një këngë te re ku kam bashkëpunuar me tre këngetarë të estradës sonë: Gilin, Xenin edhe Shkurte Fejzen…
Malësia.Org – Malësor në këngët tuaja kemi rastin te dëgjojmë vargje të thurura për heronj kombëtar por edhe për çështje kombëtare. Kënga e cila zgjoi emocione të mëdha te publiku ishte kënga juaj ” Ndale turrin shkja i zi”, kënduar nga ju në qendër të Tuzit, me rastin e 100 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, për këtë këngë të kënduar nga ju, kam dëgjuar se jeni marrë në pyetje nga organet kompetente të Malit të Zi, si qëndron e vërteta?
Malësori – Po atë këngë e pata kënduar në atë manifestim madhështor të organizuar nga disapora jonë në Amerikë. Kënga e kishte një mesazh të veçantë, jo ndonjë shprehje nacionaliste por ma shum si tregime se çka ka ndodhë me popullin tonë në disa periudha në të kaluarën e çka ndodhë edhe sot. Kënga u prit mirë si në koncert si edhe mas andej. U fol e përfol për të, bile e komentonin edhe guximin tim për ta kënduar në atë manifestim. Për mëndimin tim këngetari duhet të jetë i guximshëm edhe gjithnjë me tregua përmes këngës dhe qendrimeve bindjet dhe idealet e mirëfillta të popullit të vetë. Jo,nuk më ka marr askush në pyetje për atë këngë kurr…
Malësia.Org – Malësor, përpos lëvdatës për ju si këngëtar të mirëfilltë kam edhe një kritikë konstruktive. Fjala është se shumë pak ju shofim në Malësi, nëpër evenimente kur behen koncerte me rastin e shënimit të datave të rëndësishme kombëtare. A mos do të duhej që të ini më aktiv në Malësi për raste të këtilla, pasiqë frymëzimi për t’ju intervistuar e gjeta në një evenimenti në Malësi, kur këngëtari i mirënjohur nga Kosova, Shkodran Tolaj, tha se do kërkoi nga Nikolla dhe Malësori të ia shitni shtëpinë në Malësi dhe të qëndroi ai këtu, pasiqë me shume po vjen ai këndej sesa qëndroni ju?
Malësori – Në Malësi marr pjesë gjithmon në evenimente e manifestime serioze kurdo kam mundësi e kur është nevoja. Edhe në Malësi sikur në vendet tjera ka organizime e manifestime të karaktereve e cilësive të ndryshme. Shum herë marr ftesa mirëpo i shqyrtoj edhe varesisht nga serioziteti dhe qëlllimi i manifestimit e marr një vendim a me marr pjesë apo jo. Flas gjithnjë sipas mundësive të mija. Për këta nuk besoj që ka drejtë dikush të më kritikoj. Sa i takon atyre shprehjeve për me shit shtëpia e zhvendosjen e dikujt në Malësi apo diku tjeter, edhe le të zhvendosen se Malësia është vend i tyre, sikur që është e imja edhe Kosova e vendet tjera shqiptare. Zoti i ka fal për shqipëtarë.
Malësia.Org – Së fundmi, kënga juaj “Shoqe dhe Dashni” u mirëprit shumë te publiku, ta them të drejtën kjo është edhe njëra ndër këngët tuaja që preferoj. Do të doja të pyes për motivin tuaj për thurjen e kësaj këngë me një mesazh të tillë?
Malësori – Kënga ime e fundit “Shoqe dhe dashni”është prit shum mirë e këta më ban me u ndije shum mirë, kur e di se mundi më shpërblehet. Motivi e idea për të kanë qenë të krijuesit të asaj këngë llir Beranit. Kur e ka punuar enkas për mua, më ka pëlqye shum sa e kam dëgjuar ne versionin e demo inçizimit.
Malësia.Org – Cili është projekti juaj i radhës, ku do të jetë Malësori gjatë festes së 28 nëntorit, ditës së Flamurit, apo festave të fundvitit?
Malësori – Projekti im pritet të bëhet publik edhe disa ditë. Është një këngë e përbashkët me kolegët e mi: Gilin,Shkurte Fejzen dhe Xenin. Titullohet “Bane shqiponjen” dhe kjo është dhurata jonë për shqiptarët për 28 Nentorin e këtij viti. Është shkruar dhe kompozuar nga Ilir Berani ndërsa orkestrimin e ka realizua Florent Boshnjaku. Edhe disa ditë edhe ju premtoj që vjen hiti. Mas andej për programet festive të festave të fundvitit do të keni rastin ta degjoni një këngë time të re, me titull: “Hajde çu një lojë me lu”. Është këngë ritmike me plotë atmosferë, të cilën e kam punuar enkas për fundvit. Edhe këtë këngë e ka shkruar dhe kompozuar Ilir Berani ndërsa orkestrimin e ka realizuar Rrahman Kryeziu.
Malësia.Org – Përpos këngëtar, a keni ndonjë profesion tjetër. Kohën e lirë si e Kaloni?
Malësori – Profesioni im është muzika dhe kënga ndonëse këto i kisha edhe hobi qysh se kam qenë fëmi. Mua më mjafton ky profesion sepse në të ndihem ai i verteti. Kohën e lirë e kaloj me shoqërinë time.
Malësia.Org – Aktualisht jetoni në Prishtinë, a mendoni ndonjë herë të ktheheni të jetoni përsëri në Malësi?
Malësori – Në Prishtinë jetoj që 17 vite. Edhe pse nuk ka qenë plani im që të jetoj këtu, sepse kam ardhë ti ndjeki studimet. Por këtu më kanë prit njerëzit jashtëzakonisht mirë, edhe Prishtina është një vend ku më jepen shum mundësi, që Podgorica në të cilen jam lind e rrit nuk i ka. Malësia është rajoni im nga jam dhe e kam në zemër e në shpirt gjithmon. Nesë ndonjë ditë kthehem në atë vend, atëherë nuk do të jetë ma Podgorica por Malësia vendi im ku do të kisha jetua. Është dëshira ime ma e madhe kjo prej të gjithave. Mendoj se do te ishte interesante jeta në Malësi edhe pse nuk e kam provua kurr, përpos në periudha të shkurta kur shkoja te dajat në Triesh si fëmi, po edhe kur dilnim në bjeshkën e Koritës së Hotit, prej nga kam kujtime nge ma të bukurat në jetë. Unë mendoj se për Malësinë e për namin e sajë mund të punojmë edhe nga këto vënde ku jetojmë, gjithnjë duke u munduar për të mirë. Malësia është nëna ime edhe do të jetë sa të jam gjallë.
Malësia.Org – Malësor ju falënderoi për kohen që na kushtuat, duke ju dëshiruar shumë suksese në të ardhmën.
Malësori – Ju falëndëroj nga zëmra që më dhatë mundësinë të shprehem për portalin Malësia.Org, të cilin gjithmon e kam dashtë dhe respektua në menyrë të veçantë. Gjithmon ishte mjet i informimit të mirefilltë me qëndrime të mirëfillta kombëtare, dhe unë gjithmon kam pas bashkëpunime të shkelqyshme me juve. I përsheëdes nga zëmra lexuesit e kësajë interviste dhe ju uroj krejtë të mirat e botës.
Rrnoft Malësia shqiptare! Ju dua shum.
Intervistoi: Albert Camaj – Malesia.Org