Vazhdojnë provokimet dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi
A është ky provokim, a është kjo diktaturë a është cenim flagrant i te drejtave elementare qytetare te shqiptarëve autoktonë -gjithsesi se është. E ne heshtim, heshtim e “kqyrim seiri” sepse jemi të përçarë në 11 parti politike, ndërkaq populli i katandisur është në amulli që është pasojë e krizës ekonomike dhe e papunësisë dhe të mungesës së perspektivës, dhe me halle te shumta është plotësisht i dezorientuar. Po ti kishin ndodhur këto provokime çfarëdo grupi tjetër etnik pos shqiptarëve, do të protestohej fillimisht nga shtetet amë, nga banorët në rrugë e deri në instancat më të larta të Evropës.
Shqiptarët nuk kanë kërkuar me referendum që të hyjnë nën Malin e Zi, por këto toka shqiptare që aktualisht janë nën Mal te Zi janë toka të okupuara jo pse Mali i Zi është dhe ishte ndonjëherë forcë reale ushtarake, por për shkak të faktit se në kohërat e okupimit Mali i Zi ishte përkrahur fuqishëm nga Rusia Cariste dhe e kishte bekimin e vendimeve famëkeqe të kongresit te Berlinit.
Sot, kur janë mbushur 140 vite pas këtij Kongresi famëkeq (të mbajtur prej 13 qershor deri më 13 korrik 1878), përsëriten serish të njëjtat tema dhe dilema dhe cenohen e shkelën të drejtat elementare njerëzore të popullatës shqiptare.
Në kohen kur jetojmë kinse në një shtet evropian qysh pretendon të jetë Mali I Zi, hyrja e policisë malaziase me dhunë nëpër shtëpi të shqiptarëve dhe heqja e Flamurit është akt kriminal i cili meriton një përgjigje të ashpër, sepse po na cenohet dhe preket pragu i shtëpisë, po na cenohet dinjiteti kombëtar dhe se simboli më i shenjtë kombëtar- flamuri i vendosur po përulet dhunshëm e së bashku me të edhe ne shqiptarët si individë, por edhe si shoqëri.
Kurrë nuk duhet harruar se flamuri që u largua nga kulmi nuk është vetëm i asaj familje qe është provokuar. Është i tërë kombit shqiptar dhe si të tillë duhet te jemi unik ta ruajmë, ta mbrojmë dhe mos të lejojmë qe Cërna Gora të na e përul dinjitetin tone, me gjak të fituar, kombëtar.