Kryetari i Këshillit komunal të Malësisë, i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Ivan Ivanaj, deklaroi për gazetën “Dan”, se buxheti i Komunës së Tuzit, për vitin e ardhshëm është i konceptuar, jo seriozisht.
Ivanaj thotë se pritjet ishin shumë më të mëdha, sidomos tani që Tuzi është bërë komunë e plotë. Ivanaj thekson se si duket udheheqësia e tanishme e komunës ende mendon në të njëjtën mënyrë.
“Se sa ky buxhet është i orientuar drejt zhvillimit më së miri e ilustron fakti se shpenzimet operative janë 25 për qind më të larta se sa ato kapitale. Por jemi të mendimit se edhe me këto mjete, është mundur shumë më mirë të planfikohet. Edhe pse rreth 200,000 euro janë parashikuar për rindërtimin e rrjetit rrugor, as gjysma e investimeve nuk janë planifikuar për dy rrugë shumë të rëndësishme lokale për Kojë dhe Poprat, të cilat janë në gjendje të keqe. Me këtë vazhdohet me diskriminim ndaj popullsisë që jeton në zonat rurale të Malësisë”, deklaroi Ivanaj.
Ai vëren se këtë vit komuna nuk ka planifikuar fonde të mjaftueshme për furnizimin me ujë në zonat rurale, vetëm 4,000 euro, ndërsa transferet për asistencë të njëhershme janë të larta.
“Transferët për ndihmë sociale të njëhershme në vlerë prej 24,000 euro janë të larta sipas mendimit tonë, por meqenëse para nesh është vit zgjedhor, plotësisht e kuptojmë se pse ato janë kështu. Për sport, janë planifikuar 80,000 euro, shumë më pak se në vitet e mëparshme, por prapë se prapë shumë, krahasurar me mundësitë e buxheti të këtillë”, deklaroi Ivanaj.
Ivanaj theksoj se Lidhja Demokratike Shqiptare, përmes debatit publik dhe përmes procedurës parlamentare, do të propozojë dhe sugjerojë ndryshimet që janë të nevojshme për funksionimin më të mirë të komunës.
“Por, megjithatë nga 3 marsi, sapo të vinë në pushtet partitë shqiptare, ne do ta bëjmë rebalansin e buxhetit. Qeverisjen e re komunale duhet ta përbëjnë ata të cilët tash 30 vite, kanë luftuar për këtë komunë, e jo ata të cilët deri në momentin e fundite kanë kundërshtuar këtë, deklaroi Ivanaj.