U përurua libri i Qani Osmanit “Vizione – shoqërore, politike, fetare”

Ulqin- Në Galerinë e Qendrës së Kulturës, të shtunën mbrëma është bërë përurimi i librit të Qani Osmanit “Vizione – shoqërore, politike, fetare”.

Libri është përmbledhje e artikujve, opinioneve dhe vështrimeve, që janë publikuar në gazetën “Koha javore” dhe media tjera të shkruara dhe online, pothuajse në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare.

Vetë autori në fjalën e tij ka thënë se si filozof dhe sociolog, gjatë shkrimit të artikujve, për vlerësimin e një dukurie është mbështetur në të kaluarën e largët, por edhe të afërt, për të diagnostifikuar të tanishmen dhe për të krijuar mendime përparimtare dhe vizione për të ardhmen.

“Ashtu si edhe në librin e parë, edhe në këtë libër jam angazhuar për qasje analitike dhe kritike ndaj devijimeve, kundër vlerave dhe çështjeve tjera që janë preokupuese për shqiptarët në përgjithësi, e veçmas për shqiptarët në Mal të Zi”, është shprehur ai.

Osmani ka theksuar se shpreson që ky libër do të jetë “një kontribut modest në zhvillimin e mendimit teorik dhe shoqëror të sotëm, një dëshmi e përditshmërisë sonë për gjeneratat e reja, duke mos pretenduar se në këtë punim i kam rrumbullakësuar të gjitha dilemat dhe aspektet që kanë të bëjnë me çështjet përkatëse, dhe se nuk ka vend për analizë e kritika, qofshin ato pozitive apo negative”.

Për redaktorin e librit, studiuesin dr. Nail Draga, ky libër paraqet qasje intelektuale për aktualitetin shoqëror dhe ofron mesazhe të qarta për aktualitetin tonë, jo vetëm në spektrin lokal, por edhe atë mbarëkombëtar.

“Në saje të temave të prezantuara, autori iu ka mundësuar lexuesve meditimin e tyre personal nga gama e gjerë e temave të cilat janë preokupuese jo vetëm për momentin aktual, por për të gjithë ne. Si i tillë, ky botim ofron mundësi të një debati me lexuesit, dukuri e cila mungon në shoqërinë tonë pluraliste”, ka thënë ai.

Draga ka thënë se “autori kritikon devijimet shoqërore me të vetmin qëllim që ato nesër mos të bëhen shprehi sepse si të tilla, nuk na nderojnë – si individ, popull apo shoqëri në përgjithësi”.

Sipas deputetit dhe nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, libri “Vizione – shoqërore, politike, fetare” vlen të lexohet nga të gjithë intelektualët e mirëfilltë, por medoemos nga ata që duan ta quajnë veten intelektualë dhe e duan kombin e vet.

“Vepra e tij është e bazuar në një literaturë të mirëfilltë, e cila përfshin vepra nga sociologjia, filozofia, por edhe vepra mbi etnogjenezën, historinë, shkencat politike dhe mbi fenë. Edhe vetë leximi i autorëve të disa veprave të cilave u referohet është mbresëlënës dhe është dëshmi e seriozitetit të shkrimit”, ka thënë ai.

Nimanbegu ka theksuar se ideja apo vizioni i autorit është një shoqëri me vlera morale, etike, kulturore, e zhvilluar, një shoqëri e barabartë ku pjesëtarët e kombit të tij janë po ashtu të barabartë.

Sipas tij, Osmani ka vështrim të mprehtë mbi proceset dhe shpjegon edhe pasojat e mundshme nëse nuk realizohen sugjerimet e tij.

“Kritika ndaj politikës në Mal të Zi është e mprehtë dhe domethënëse. Raporti i shtetit të Malit të Zi dhe pozitës së shqiptarëve e preokupon autorin në këto shkrime. Në pamje të parë, ai duket si tepër kritik ndaj politikës shqiptare në Mal të Zi, me shumë të drejtë në shumë raste. Por ai gjithmonë e fton lexuesin që besimin dhe votën t’ia japë subjekteve shqiptare. Me këtë dëshmon një ndjenjë kombëtare të theksuar”, ka nënvizuar Nimanbegu.

Për poetin dhe publicistin Ali Gjeçbritaj, libri i ri i Qani Osmanit është vazhdimësi e librit të parë duke qenë se autori “edhe në të trajton tema të ngjashme, por tashmë me një vizion të ri, ku largpamësia e autorit shihet qartë në trajtimin e thuktë të temave shoqërore, çështjeve shoqërore të tjera, politike dhe fetare, në kohë, hapësirë, përditshmëri etj.”

Gjeçbritaj ka thënë se autori ka edhe shqetësimin e dallëndyshes sepse ai është i shqetësuar për çështjen e shqiptarëve në Malin e Zi, gjë të cilën ai e shpreh qartë në secilin artikull të librit.

Gjatë përurimit, moderatori Gazmend Çitaku i ka njohur të pranishmit me jetën dhe veprimtarinë e Osmanit dhe ka lexuar disa fragmente nga libri.

Qani Osmani u lind në Gostivar, në vitin 1960. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi Filozofi-Sociologji, ku ka diplomuar në vitin 1983, si njëri ndër studentët më të dalluar të gjeneratës së tij. Për një kohë të shkurtër ka punuar në Gjimnazin Ekonomik në Gostivar, ndërsa në vitin 1986 vendosi përfundimsisht ta lërë vendlindjen e vet dhe vendoset në Ulqin. Përpos librit “Vizione – shoqërore, politike, fetare”, më herët ka botuar librin “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi”.

Në fund të përurimit, autori ka dhuruar libra për të gjithë pjesëmarrësit.

Nga Ismet Kallaba – Koha Javore