U përuruan librat e Ali Gjeçbritajt “Udhëtim në kohë” dhe “Heshtja që flet”  

Ulqin – Në sallën e mbushur përplot të Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, të premten mbrëma u përuruan dy librat më të rinj të Ali Gjeçbritajt – “Udhëtim në kohë” dhe vëllimi poetik “Heshtja që flet”.

Libri “Udhëtim në kohë”, i cili është botuar “nga “Diti&Oli – Librari ‘Arti’”, është përmbledhje e artikujve gazetareskë, kumtesave të mbajtura në konferenca shkencore apo seminare, fjalimeve në manifestime, procesverbaleve të mbledhjeve dhe rezolutave të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, recensioneve për libra të autorëve shqiptarë në Mal të Zi dhe të tjerë etj., të ndarë në tetë kapituj: arsim, manifestime, kujtime dhe përjetime, politike, shënime gazetareske, trashëgimi, udhëpërshkrime, vështrime. Ndërkaq përmbledhja “Heshtja që flet”, e botuar nga SHAI “Art Club”, përbëhet nga 75 poezi.

Botuesi Gazmend Çitaku ka thënë se me këto dy libra, Gjeçbritaj jo vetëm që ka arritur majat e maleve dhe thellësitë e detit, por ai me këto dy botime është konsoliduar fort në fronin e veprimtarëve kulturorë të shqiptarëve të Malit të Zi.

“Është e pamundur të flitet për rajonin e Krajës e aty mos të përfshihet Ali Gjeçbritaj. Kraja dhe Aliu janë si mishi e kocka dhe kjo është kështu sepse Aliu e din mirë nga vjen, por çka është më e rëndësishmja, ai e din se ku shkon. Duke jetuar pranë liqenit, Aliu si një liburn që është, lundron me shumë shkathtësi dhe sukses sa në poezi e letërsi, ashtu në publicistikë e trashëgimi, dikur jepte kontributin në politikë e sot në gazetari”, është shprehur ai.

Çitaku ka thënë se autori ka një sekret suksesi e ajo është dashuria e tij ndaj arsimit.

“Puna e tij në shkollë paraqet një përmbushje shpirtërore dhe një inspirim për të dëshmuar sa më shumë për Krajën dhe popullatën që jeton aty”, ka pohuar ai.

Sipas tij, libri ”Udhëtim në kohë” paraqet pa dyshim një mini-enciklopedi për Krajën dhe banorët e saj.

“Që nga titulli i librit lexuesi parapërgatitet për diçka interesante, mirëpo ajo që përjetohet me shfletimin e librit askënd nuk e lë indiferent para të dhënave historike, dokumentare, etnologjike… Andaj udhëtimi në kohë me të vërtetë mbetet i skalitur thellë në mbamendjen tonë duke na rikujtuar ngjarjet e mira dhe të këqija të popullit të kësaj zone, por edhe gëzimet apo vështirësitë që ka përjetuar Kraja dhe krajanët”, ka thënë ndër të tjera Çitaku.

Kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se Ali Gjeçbritaj është shembulli i intelektualit të angazhuar dhe të përkushtuar.

“Ndonëse me profesion është mësues, ai merret edhe me publicistikë, letërsi, politikë etj. Ky është ‘fati’ i tij, ashtu si dhe i shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë në Malin e Zi, i kushtëzuar nga rrethanat e ndryshme dhe nevojat e kohës”, ka theksuar ai.

Duke folur për librin “Udhëtim kohë”, Kallaba ka thënë se si protagonist i drejtpërdrejtë i shumë ngjarjeve, Gjeçbritaj regjistron, arkivon, tregon, dëshmon, analizon…

“Ai është kronist i ngjarjeve më të rëndësishme në Krajë, ndërsa libri vulë e kohës dhe e ngjarjeve që ka përjetuar autori… Si një ‘udhëtar’ në kohë të pakohë, Gjeçbritaj është i shqetësuar për fenomenet negative në trevën e Krajës – shpopullimin e saj, zvogëlimin e numrit të nxënësve dhe mbylljen e disa shkollave, rënien e faktorit politik shqiptar në Krajë”, është shprehur ai.

Poeti Hajredin Kovaçi ka thënë se libri më i ri, “Heshtja që flet”, paraqet edhe një dëshmi se Ali Gjeçbritaj është i lidhur shumë ngusht me Krajën, vendlindjen e tij, e cila dita-ditës po zbrazet nga të rinjtë, gjithandej nëpër botë, gjë që po e lëndon shumë autorin.

“Atij, veç sa s᾽i bëhet të dalë e të bërtasë me sa zë që ka”, ka theksuar ai, duke e ilustruar këtë me vargjet e Gjeçbritajt: ‘Ku po shkoni, ky është vendi juaj, s᾽u dhimbset ta lëshoni”?

Kovaçi ka vijuar se duke lexuar librin “Heshtja që flet” vërejmë se autori është një përcjellës dhe regjistrues i vëmendshëm i përditshmërisë, i ngjarjeve të ndryshme dhe situatave të krijuara nga faktori njeri, që rrezikojnë dita-ditës që ky brez të jetë krejt ndryshe nga brezi i tij.

Sipas Kovaçit, vetë titulli i librit “Heshtja që flet” ka një domethënie që të bën të mendosh, si flet vallë heshtja.

“Ajo në vete ka diçka frikësuese, shqetësuese, por që autori ka një gur që e mban në valixhe, e që shpreson ta vrasë!”, ka thënë ai.

Në fjalën e tij, autori Ali Gjeçbritaj ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në përgatitjen e librave, sponsorët për mbështetjen e botimit të dy librave, si dhe pjesëmarrësit në përurim.

Moderatorja e përurimit, udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, dhe aktori Shefqet Luca, kanë lexuar vargje nga përmbledhja me poezi “Heshtja që flet”. Po ashtu është lexuar edhe vështrimi i redaktorit Jaho Kollari mbi këtë vëllim poetik.

Përurimi është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Libraria “Arti”, në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Në fund të tij, autori ka dhuruar libra për të gjithë të pranishmit.

(Kohapress)