Kuvendi i Kosovës voton për formimin e Ushtrisë së Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me votën e tyre unanime Forcës së Sigurisë së Kosovës ia kanë ngarkuar detyrat e ushtrisë, si të gjitha ushtrive të shteteve të pavarura e sovrane.

Në hapje të seancës parlamentare për formimin e Ushtrisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka ftuar të gjithë pranishmit për një minutë nderim për të gjithë brezat, që në kohë e rrethana të ndryshme, sakrifikuan për këtë ditë.

“Le të nderojmë luftëtarët e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të periudhave të ndryshme. Le të nderojmë gjeneratat e të burgosurve politikë. Studentët e lëvizjeve studentore. Intelektualët dhe minatorët e Kosovës. Bashkatdhetarët tanë kudo në botë. Veprimtarët politikë të rezistencës paqësore. Djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmorët e lirisë. Ne sot qëndrojmë këtu falë kësaj sakrifice mbinjerëzore. Krenarë me të kaluarën dhe të sigurt për të ardhmen tonë euro-atlantike”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli në hapje të seancës ku votohet Ushtria e Kosovës.

Në seancën plenare me të vetmen pikë të rendit të ditës, me 105 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, votohet pakoja e ligjeve me të cilat ndryshohet roli i FSK-së nga Forcë e Sigurisë në Forcë Ushtarake.
Ky vendim, i cili vjen pas pesë vjetësh tentativë, është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Gjermania, por kundërshtohet nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, që aktualisht ruan kufijtë e Kosovës.