Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, ka njoftuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve do të shpallet edhe në Gazetën Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve edhe në Gazetën Zyrtare”, ka shkruar Xhaferi, zyrtarizimi i të cilit ka ardhur pas miratimit dhe shpalljes së amendamenteve për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ligji i gjuhëve, i cili pritet të avancojë përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, u miratua në mars të vitit të kaluar dhe nxiti debate dhe reagime të shumta tek opinioni në vend, madje ai nuk është dekretuar nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.
Gjatë seancës në të cilën u miratua ky ligj, pati edhe një incident mes kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferit dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Reagimet më të ashpra kanë qenë nga partia e tanishme opozitare maqedonase OBRM-PDUKM dhe presidenti i shtetit Gjorge Ivanov. Ata në vazhdimësi kanë thënë se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe cenon gjuhën maqedonase si të vetme zyrtare dhe të pranuar sipas tyre.